“Qëndrimi i Rusisë për zgjidhjen e “çështjes së Kosovës” është i pandryshuar dhe bazohet në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB 1244”, ka shkruar ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan Kharchenko.
Ai në tekstin autorial për revistën e Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit “Napredak” ka shkruar se Rusia i kushton vëmendje të veçantë situatës në lidhje me “Krahinën Autonome të Kosovës brenda Serbisë”.
“Bisedimet mbi marrëdhëniet e ardhshme reciproke midis Beogradit dhe Prishtinës mund të japin rezultate vetëm me respektim të së drejtës ndërkombëtare, interesave dhe shqetësimeve të serbëve të Kosovës. Vetë palët duhet të pajtohen dhe është kundër produktive të detyrosh normalizimin përfundimtar, të imponosh receta dhe korniza kohore të parapërgatitura”, ka pretenduar ambasadori rus në Serbi.
“Ne nisemi nga ajo që BE, e cila ishte autorizuar nga Asambleja e Përgjithshme e KB për të ndërmjetësuar në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, duhet të përmbushë në mënyrë të paanshme dhe efikase detyrimet e marra dhe të përpiqet të realizojë marrëveshjet e arritura më parë, të cilat shqiptarët e Kosovës sot haptas i injorojnë. Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe zgjidhja e çështjeve në lidhje me refugjatët dhe personat e zhvendosur”, ka shkruar Kharchenko. “Ne do të mbështesim të gjitha përpjekjet për të ndihmuar Beogradin dhe Prishtinën të arrijnë një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët. Siç ka theksuar vazhdimisht presidenti rus Vladimir Putin, Rusia do të pajtohet vetëm me atë zgjidhje e cila i kënaq serbët të cilët i “mbrojnë të drejtat e tyre legjitime në Kosovë”, ka shtuar ambasadori rus në Beograd./Insajderi.org.