Një ditë më parë, ministrja për Dialog Edita Tahiri i bëri thirrje shtetit të Izraelit të njoh pavarësinë e Kosovës. Tahiri, e cila po qëndron në një vizitë jozyrtare në Izrael, ka thënë për radion nacionale të këtij vendi se Kosova dhe Izraeli kanë një të përbashkët: integrimin euroatlantik.
Në këtë intervistë, ministrja kosovare për Dialog ka deklaruar se e kupton problemin e brendshëm që Izraeli ka me Palestinën, e cila supozohet se ia bën të vështirë njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, mirëpo ka thënë se ka ardhur koha që Izraeli ta njoh Kosovën.
“Të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë u drejtuan kah perëndimi dhe mposhtën ndikimin rus. Ne i përkasim bashkësisë euroatlantike. E gjithë kjo duhet të merret parasysh që qeveria izraelite të rishqyrtojë çështjen e njohjes së Kosovës”, ka thënë Tahiri.
E një ditë më vonë pas kësaj deklarate të Tahirit, kërkesë për njohje nga një shtet që nuk e njeh Kosovën pati edhe kryediplomati kosovar Enver Hoxhaj. Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, për dallim nga ministrja për Dialog, zhvilloi sot vizitë zyrtare në Greqi.
Në shtetin grek, Hoxhaj u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin mes dy shteteve. Hoxhaj tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Greqisë është në një shkallë të lartë, por mungon vetëm një gjë.
Ministri kosovar, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, deklaroi se raporteve kosovë-Greqi i mungon vetëm njohja reciproke mes shteteve, pra ajo nga Greqia kundrejt Kosovës. Ai kërkoi nga Greqia që ta njoh Kosovën.
“Sot kam nisur një vizitë zyrtare në Greqi ku pata kënaqësinë të takoj mikun tim, ministrin e Jashtëm, Kotzias me të cilin bisedova për shumë tema me interes të përbashkët. Raportet tona janë të shkëlqyeshme dhe ajo çfarë ju mungon këtyre raporteve është vendimi për ta njohur Kosovën si shtet por ky është vendim i një vendi sovran që do të ndodhë në një kohë të caktuar”, tha Hoxhaj.
Njohje nga Izraeli dhe Greqia kanë kërkuar edhe më parë zyrtarë të lartë të shtetit kosovar, raporton Insajderi.
Tani presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në kohën sa ishte zv/kryeministër dhe ministër i Jashtëm, në një intervistë për të përditshmen izraelite “Yedioth Ahronoth” kishte thënë se Kosova dhe Izraeli vazhdimisht po shënojnë afrim, duke shtuar se Izraeli e mbështet Kosovën.
Ai nuk kishte harruar ta përmendte edhe të kaluarën historike kur shqiptarët shpëtuan shumë hebrenj gjatë Holokaustit.
“Shqiptarët e Kosovës i kanë shpëtuar bashkatdhetarët e tyre nga komuniteti hebraik gjatë Holokaustit, dhe qeveritë tona inauguruan në Prishtinë një monument kushtuar hebrenjve të vrarë gjatë asaj periudhe. Ne kemi shumë gjëra të përbashkëta në shumë segmente”, kishte thënë Thaçi. /Insajderi.com