Vota britanike për largim nga BE-ja do të ketë pasoja të gjera për vendet e Ballkanit Perëndimor në fazat e ndryshme të aderimit, të paktën kështu mendojnë analistë të huaj.
Ndikimi politik dhe ekonomik i “Brexit”-it do të kërkojë mbase vite – sipas tyre, – që të qartësohet tërësisht. Pas anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013, 6 shtete të tjera ballkanike presin në radhë për të njëjtin fat: Mali i Zi, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Shqipëria.
Integrimi europian është në fokusin e politikave të tyre kombëtare. Por një sërë zyrtarësh në rajon iu bashkuan korit të zërave të shqetësuar nga pasiguria e së ardhmes së BE-së, në vazhdën e largimit të Anglisë.
Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç e cilësoi rezultatin e referendumit si “tërmetin më të madh që godet Europën, pas rënies së Murit të Berlinit”. Pasojat e para nisën të ndihen që të hënën, kur vendet anëtare sërish dështuan të bien dakord mbi hapjen e kapitullit 23 të negociatave të Serbisë për aderim.
Në mungesë të konsensusit të nevojshëm mbi çeljen e këtij kapitulli dhe atij 24, çështja do të shtyhet më vonë në korrik apo shtator të këtij viti.
Duke analizuar skenarët e mundshëm “post Brexit”, profesori i historisë së Europës Juglindore dhe politikave në Universitetin e Grazit, Florian Bieber mendon se Ballkani Perëndimor jo vetëm do të humbasë një mbështetëse të fortë të zgjerimit, por “Brexit”-i do të konsumojë në vitet në vijim edhe politikën e BE-së e aparatet burokratike, si dhe do të tkurrë interesin për shtimin e radhëve të unionit.
Dalja e Britanisë – thotë ai, – do ta zbehë shtysën e anëtarësimit e impulset për reforma demokratike në rajon. Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn tha të premten në Vjenë se, rezultati i referendimit britanik nuk duhet ta ndalojë procesin e shtrirjes së bllokut, por edhe balkanologu Daniel Serwer ndan bindjen se Ballkani do t’i vuaje pasojat e “Brexit”-it, që i hap derën – sipas tij, – rritjes së influencës ruse sidomos në Serbi e Maqedoni. /Insajderi.com