×
  • Lajme
  • Insajderi

    Brezovica- Njeriu i LDK-së që u arrestua sot ishte i dënuar për korrupsion për tenderin milionësh

    Insajderi
    26 May 2022 - 13:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Aksioni ‘Brezovica’ ka vazhduar edhe ditën e sotme ku në pranga kanë rënë katër persona, në mesin e tyre edhe ish-sekretari​ i Ministrisë së Infrastrukturës.

    Gazeta Insajderi mëson brenda burimeve të sigurta se ish-sekretari​ i Ministrisë së Infrastrukturës që u arrestua sot është Xhelil Bekteshi.

    Sipas Prokurorisë, personat e arrestuar me inicialet Xh.B., I.F., Xh.Sh., dhe B.P., janë ndaluar për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

    Xhelil Bekteshi ka qenë sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës në kohën kur këtë dikaster e drejtonte Lutfi Zharku i LDK-së.

    Në kohë sa mbante këtë pozitë Bekteshi akuzohej për ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’. Ishte ishte shpallur fajtorë për korrupsion dhe ishte dënuar me burgim prej 3 vite burgim.

    Ai po ashtu ishte gjobitur me 30 mijë kompensim.

    Bekteshi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

    Sipas aktakuzës, Bekteshi akuzohej se gjatë vitit 2016 derisa ishte Sekretar i Përgjitshëm në MI, në cilësinë e personit zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, ashtu që i njëjti në mënyrë që t’i mundësojë operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, me dashje e ka obliguar zyrtaren e arkivës Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistrojë vendimin me të cilin është ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofetave për projektin “Zgjerim i rrugës nacionale N-9, segmenti: Gjuregjicë-Kievë”, i cili vendim mban datën 23 qershor 2016 dhe regjistrohet më 3 maj 2016, me qëllim që tenderi t’i jepet operatorit ekonomik “Sallahu”.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim 991 mijë e 418 euro e 19 centë, ndërsa operatorit tjetër ekonomik, i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

    Para se ta merrte këtë pozitë Bekteshi ka qenë drejtor i buxhetit në Komunën e Prishtinës, në kohën kur drejtohej nga Isa Mustafa.

    Aksioni ishte zhvilluar në gjashtë lokacione të ndryshme ku janë gjetur dhe konfiskuar: Pushkë e gjuetisë, revole, telefon celular, laptop dhe dokumente të ndryshme./Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark