Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Brikena Muharremi, ka deklaruar se vendimi i saj për t’u përfshirë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare ka ardhur si rezultat i shqetësimeve për gjendjen ekonomike dhe largimin e të rinjve nga Kosova.
Në një intervistë në Tëvë1, Muharremi tha se synon ta vendosë në shërbim të Kosovës përvojën e saj më shumë se 20-vjeçare në sistemin e udhëheqjes në Britaninë e Madhe.
“Futja ime për herë të parë në zgjedhjet parlamentare si kandidate për deputete vjen nga shqetësimi që kam për faktin se Kosova vazhdon të jetë ndër vendet më të varfra në Evropë. Më shqetëson gjithashtu largimi i të rinjve nga vendi dhe Kosova ka filluar të zbrazet”, ka deklaruar Muharremi.
Ajo theksoi se dëshiron të kontribuojë në zhvillimin e vendit duke shfrytëzuar përvojën profesionale të fituar jashtë Kosovës.
“Dëshiroj që përvojën time mbi 20-vjeçare në sistemin e udhëheqjes në Britaninë e Madhe ta përdor për të mirën e Kosovës dhe të punoj me njerëzit tanë, të cilët janë jashtëzakonisht të aftë dhe arrijnë rezultate të mëdha kur u jepet mundësia. Kosova meriton të arrijë potencialin që e ka”, u shpreh ajo.
Muharremi foli edhe për arsyet që e kanë shtyrë t’i bashkohet LDK-së, duke thënë se në këtë subjekt politik ka gjetur vlerat me të cilat identifikohet.
“Arsyeja pse jam kyçur në LDK është se ky subjekt më ka ftuar të kandidoj. Gjithashtu, edhe Vjosa Osmani më ka ftuar të jem pjesë e saj dhe për mua ka qenë privilegj të jem pjesë e një liste të udhëhequr nga zonja Osmani. Një tjetër arsye është se në LDK e kam gjetur veten dhe vlerat me të cilat identifikohem”, ka thënë Muharremi.