Ish-luftëtari i UÇK-së, Jon Harrison, ka nxjerrë në shitje armët e tij në mënyrë që të fitojë para për t’u shëruar nga kanceri.
Britaniku është diagnostikuar me kancer dhe është detyruar të kërkojë ndihmë për të mbledhur 40 mijë funte për një operim, që nuk ia mbulon sigurimi shëndetësor.
“Ankandi është i hapur. Lutem të konkurroni për t’i blerë armët e mia dhe të më ndihmoni ta shpëtoj jetën time”, ka shkruar Harrison në llogarinë e tij në facebook.
Harrison ka kohë që ka nisur të kërkojë ndihmë për sëmundjen e tij. Ai më herët kishte vënë në shitje edhe asete tjera personale në pamundësi për të siguruar para për shërim.
Harrison, kishte qenë pjesë e Brigadës 138 – Agim Ramadani.
Së fundmi Harrison është anëtarësuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Atë e kishte pritur në zyrë kryeministri Isa Mustafa.
Në fakt, Qeveria e Kosovës kohë më parë ka ndarë mjete nga buxheti i Kosovës për shërimin e deputetit të LDK-së, Bardhyl Meta, kurse për Harrisonin ende nuk ka asnjë lëvizje, të paktën publikisht.