Trajneri i Kosovës thotë se e ka dashur Mehën në skuadër edhe më përpara se mesfushori të vendoste të luante për Shqipërinë.
“Nuk ka dyshim që Albani ka qenë në planet e mia edhe më herët para se të vinte në Kombëtaren e Shqipërisë. Shqipëria ka qenë prioritet, pasi ka pasur kualifikimet dhe kishte përparësi. Në këtë moment që Kosova u afrohet kualifikimeve ne pretendojmë të krijojmë një skuadër të fortë dhe lojtarët që do dëshirojnë të vijnë do të jenë të mirëseardhur.
Albani është një lojtar që e njoh mjaft mirë dhe jo rastësisht është duke pasur sukses në Turqi dhe normalisht do të ishte i mirëseardhur nëse shpreh dëshirë dhe ka të drejtë të vijë, pse jo”, tha trajneri i Kosovës.
Ai tregon gjithashtu planet dhe projektet e ekipit të tij për të ardhmen.
“Pranimi i Kosovës në UEFA nuk e mbyll punën tonë, por hap punë të tjera. Ne duhet të përgatitemi edhe për eliminatoret e kampionatit botëror.
Kemi nisur kontaktet me disa nga lojtarët që mund të luajnë me Kosovën, por duhet të presim përfundimin e kampionatit evropian për të mos prishur marrëdhëniet me disa federata të ndryshme. Nuk mund të përmend asnjë emër për momentin, edhe pse e di vendimin e disa futbollistëve”, përfundoi Bunjaki.
Ai foli me bindje se Kosova do të luajë në eliminatoret e kampionatit botëror. /Insajderi.com