×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Burgim me kusht për deputeten e AAK-së, akuzohet për deklarim të rrejshëm të pasurisë

    Insajderi
    21 December 2023 - 16:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur fajtore deputeten e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK’së, Albana Bytyqi për shkak të veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë”. Deputetja është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe me 600 euro gjobë.

    Insajderi

    Gazeta Insajderi ka siguruar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, ku thuhet se deputetja Bytyqi në cilësinë e asamblistes së Kuvendit Komunal në Suharekë ka qenë e detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë nga data 1 mars deri më 19 qershor 2020, por, që nuk e ka paraqitur veturën “VW B” me vit të prodhimit 2012, e cila është në pronësi të saj.

    Me këto veprime ka kryer veprën penale, mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare, sipas nenit 430 paragrafi 2 te Kodit Penal te Republikës së Kosovës“, thuhet në aktgjykim.

    Bytyqi u dënua me gjobë në shumën prej 600 euro. Në rast se gjoba nuk paguhet, dënimi me gjobë do të shndërrohet në dënim me burgim.

    Me dënim me gjobë në shumë prej 600 €, të cilin e akuzuara duhet ta paguaj në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi. Nëse nuk do të paguhet ose nuk mund të paguhet akuzuara, atëherë dënimi me gjobë do të shndërrohet në dënim me burgim duke u llogaritur nga 20 euro për dënimin me gjobe një dite burgim.”

    Ajo u dënua edhe me 6 muaj burgim, por ky dënim nuk ekzekutohet nëse deputetja nuk kryen vepër tjetër penale për një vit.

    Dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muajve, por njëkohësisht urdhërohet që ky denim nuk do te ekzekutohet po që se e akuzuara në kohën e verifikimit prej një (1) vit nuk kryen vepër tjetër penale dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.”

    Tutje, deputetja Bytyqi obligohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 20 euro, në emër të taksës për kompensim te viktimave të krimit shumën prej 20, të gjitha këto pas plotfuqishmërisë se këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit të detyruar.

    Deputetja e AAK’së nuk e ka pranuar fajësinë në gjykatë, derisa ka kërkuar nga gjykata që të hidhet poshtë kjo aktakuzë.

    E akuzuara është deklaruar se është e pafajshme dhe se nuk ka bërë asgjë në raport me veprën penale për të cilën akuzohet, pasi në nëntor të vitit 2019 e ka shitur makinën, dhe se deklarimin nuk ka mundur ta bëjë deri në mars të vitit 2020, por për shkak të pandemisë deklarimi është shtyrë deri në qershor të vitit 2020, andaj i ka propozuar gjykatës që aktakuzën ta hedh poshtë“.

    Kërkesën për hedhjen e aktakuzës të parashtruar në shqyrtimin e dytë gjyqësor nga e
    akuzuara gjykata e ka refuzuar me aktvendimin P.nr. 363/2021, të datës 20.5.2022, ku i njëjti
    është lënë në fuqi me aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, PN.nr. 610/2022, i datës
    10.10.2022
    “, thuhet në aktgjykim.

    Gjykata pasi ka vërtetuar gjendjen faktike e ka shpallur fajtore deputeten Albana Bytyqi pasi në formularin për të dhënat e deklarimit të pasurisë nuk prezantohet fakti se këtu e akuzuara ka bërë deklarimin e pasurisë së luajtshme të automjetit “VW B” viti i prodhimit 2012, në vlerën mbi tre mijë euro, ndërkaq ka deklaruar automjetin e në pronësi të bashkëshortit, automjetin “Mercedes” viti 2017.

    Nga shikimi në kartelën e regjistrimit të automjetit të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme departameti i regjistrimit të automjeteve dhe patentë shofereve, datë 15.03.2021, është vërtetuar fakti se pronare e automjetit “VW B” viti i prodhimit 2012, me numër të tabelave të regjistrimit — është e akuzuara A B nga data 21.09.2018 dhe se riregjistrimi i fundit i kësaj veture është bërë nga e akuzuara me datë 21.09.2019“, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar disa herë deputeten Bytyqi, por, deri në publikimin e tekstit e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark