Naim Kabashi, një biznesmen nga Kosova që jeton në Gjermani është paditur në Gjykatën Komerciale nga partnerë biznesi në Kosovë për një borxh mbi 100 mijë euro. I njëjti, bashkë me një gjerman e një kosovar është denoncuar në Prokurori edhe për veprën penale të mashtrimit. Insajderi sjell detajet
Gazeta Insajderi
Në mars të vitit 2022 në Ministrinë e Tregtisë në Kosovë ishte regjistruar firma “Conservation of Global Energy Shpk” (CGE). Shtatë ortakë aktualisht figurojnë në firmë, dhe secili nga 14.29 përqind të aksioneve.
Pos ortak në biznes, Naim Kabashi, biznesmen nga Kosova që jeton në Gjermani ishte caktuar edhe përfaqësues i autorizuar i kësaj kompanie.
Naim Kabashi, me një karrierë edhe si kickbox-er me famë është edhe bashkëshorti i këngëtares shqiptare, Ledina Çelo.
Firma ishte nisur me qëllim të prodhimit të një produkti unik, që do të shërbente si pllakë qeramike, por edhe si ngrohje, por pa u kufizuar vetëm këtu.
Në një dokument që e ka siguruar Insajderi bëhet me dije që në këtë firmë, derisa nisën telashet mes aksionarëve, ishin investuar mbi 200 mijë euro. por në publik nuk gjenden raportime se kompania ka dalë deri tash në treg me ndonjë produkt.
Ende pa ndodhur kjo, ndaj Naim Kabashit, partnerit të tij kosovar Ramiz Topojoani dhe partnerit të rij gjerman Edgar Johannes van Hattum, ortakë e tyre në CEG-shpk kanë ngritur një padi për borxh në Gjykatën Komerciale si dhe kanë deponuar një kallëzim penal nën dyshimin për mashtrim.
Ish-kickboxeri paditet për mashtrim
“Egziston dyshimi i bazuar se Naim Kabashi, Edgar Johannes van Hattum dhe personi tjeter Ramiz Topojani, ishin paraqitur në cilësinë e investitorëve, me çka fillimisht ishin dakorduar me të dëmtuarit Labinot Fejza, Bujan Fejza dhe Ardian Fandaj që ta themelonin Kompaninë Conservation of Global Energy”, kështu nis kallëzimi penal i deponuar në Prokurorinë Themelore në Pejë kundër Naim Kbashit dhe partnerit të tij kosovar e atij gjerman.
Naim Kabashi në vitin 2006 kishte regjistruar firmën “Hidro Forca SH.P.K.” që u pasivizua në vitin 2022. Aty ortak e kishte Ramiz Topojanin.
Kabashi në tetor 2020 po ashtu ka regjistruar një firmë tjetër, “ENB SH.P.K.” me seli në Graçanicë, me përshkrimin që është kompani për “prodhimi i ngjyrave dhe pigmenteve- aktiviteti kryesor i biznesit”, por kishte listuar si aktivitet dytësore edhe prodhimin e energjisë elektrike.
Në këtë firmë pos Ramiz Topojanit, ortak në biznes e ka edhe shtetasin gjerman që është ortak edhe tek “CEG Shpk”, po ashtu i paditur e i denoncuar në Prokurori, Edgar Johannes van Hattum.
Në kallëzimin penal kundër këtij të fundit, Kabashit e Topojanit, thuhet se të tre i bindën tre kosovarët që te themelonin firmën “CEG-shpk” dhe të investonin në të me një premtim.
“…duke u premtuar atyre do do të sillnin investime nga vendet e Bashkimit Evropian, gjoja me qellim të prodhimit dhe eksportit jashtë vendit, kështu që të dëmtuarit kishin investuar mjete vetanake, dhe vlera e investimeve ka arritur shumën 106,374.00 €”, thuhet në kallëzimin penal.
Me kalimin e kohës, sipas ushtruesve të këtij kallëzimi penal “gjegjësisht me datë 28.12.2022 palët kishin arritur marrëveshje kontraktuale mbi shitblerjen e aksioneve, duke i llogaritur edhe investimet që kishin bërë të dëmtuarit veç e veç, me premtimin se pagesa do t’ju bëhej në afat prej 40 ditësh, me këtë rast të dyshuarit do të mundë të bëheshin pronarë të vetëm të kompanisë Conservation of Global Energy SHPK”.
Por, këto veprime, sipas ushtruesve të kallëzimit penal, çfarë vepre penale dyshohet se kanë kryer dy kosovarët e shtetasi gjerman?
“Me këtë të paraqiturit : Naim Kabashi, Edgar Johannes van Hatttum, dhe personi tjeter Ramiz Topojani, kishin për të kryer veprën penale Mashtrimi nga neni 335, por pa u kufizuar edhe në vepra tjera penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në kallëzimin penal që e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Gazeta Insajderi i ka dërguar pyetje Naim Kabashit në e-mailin me të cilin ka komunikuar më herët dhe ia ka përcjellë një kopje të kallëzimit penal, por deri tash nuk ka marrë një përgjigje a koment nga ai për këtë denoncim.
Në kallëzimin penal në fjalë thuhet se denoncuesit kërkojnë nga Prokuroria Themelore në Pejë, “të nxjerrë aktvendim për zhvillimin e hetimeve kundër të dyshuarve si më lartë, në drejtim të veprave penale për të cilat është paraqitur kallëzimi penal, apo në çfarëdo vepre penale që prokuroria konsideron se në veprimet e personave të paraqitur ka elemente të ndonjë vepre tjetër penale, të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”.
Borxhi, pranimi e mohimi dhe padia në Gjykatën Komerciale
Pos kallëzimit penal në Prokurorinë ne Pejë, tre ortakët kosovarë të Naim Kabashit, Ramiz Tropojanit e gjermanit Edgar Johannes van Hattum kanë ushtruar edhe një padi civile për kthim të borxhit në Gjykatën Komerciale.
Insajderi ka siguruar një kopje të kësaj padie, ku tre kosovarët pretendojnë se Kabashi, Topojani dhe shtetasi gjerman ua kanë borxh mbi 100 mijë euro.
Naim Kabashin, Ramiz Topojoani dhe Edgar Johannes van Hattum derisa ishin edhe ortak në “CEG Shpk”, për çka tre aksionarët kosovarë kanë bërë kallëzim penal nën dyshimin për mashtrim e padi civile për kthim borxhi, kishin hapur të tre edhe një firmë tjetër.
Në gusht 2022, të tre u bënë bashkë-aksionarë në firmën “Organic Heathing Shpk” me seli në Ferizaj, ku 51 përqind të aksioneve i mbante shtetasi gjerman, Edgar Johannes van Hattum kurse Naim Kabashi e Ramiz Topojani ndanin barazi pjesën e mbetur të aksioneve.
Sipas padisë së deponuar në Gjykatën Komerciale në Kosovë, Labinot Fejza, Bujan Fejza dhe Ardian Fandaj si aksionarë të “CEG Shpk” padisin Naim Kabashin, Ramiz Topojoani dhe Edgar Johannes van Hattum, po ashtu si aksionarë të të njëjtës kompani.
“Paditësit kishin filluar investimet sipas planit, ashtu që investimet kishin arritur në shumën 106,374.00 € nga ana e paditësve. Me kalimin e kohës, gjegjësisht me datë 28.12.2022 palët kishin arritur marrëveshje kontraktuale mbi shitblerjen e aksioneve, duke i llogaritur edhe investimet për secilin veç e veç nga Aksionarët e këtu Paditësit, duke premtuar se pagesa do t’ju bëhet në afat prej (40) katërdhjetë ditësh. Provë: Kontrata e datës 28.12.2022”, thuhet në padi
Me këtë rast, sipas padisë, ishte “arritur marrëveshje edhe për ndryshim-plotësimin e Statutit, me çka të paditurit bëhen pronarë të vetëm Shoqerisë Tregtare CONSERVATION OF GLOBAL ENERGY SH.P. me pjesëmarrje në aksione secili me nga 33.33%”, thuhet në padi, dhe ku është paraqitur si provë edhe një marrëveshje e nënshkruar nga palët për borxhin e përmendur dhe sasinë e investimeve.
Insajderi ka kontakuar Naim Kabashin në lidhje me këtë padi, dhe të njëjti i ka dërguar edhe një marrëveshje të nënshkruar që kishin palët, si dhe kopjen e vetë padisë.
Ai nuk e kishte mohuar borxhin, por ka pasur vërejtjet e tij se pse nuk është paguar ai.
“Ne kemi pranuar, dhe ata kanë sjell një listë të investimeve në këtë kompani. Ne kemi kërkuar një evidicim reale dhe faktit të investimevene këtë kompani. Maqineria dhe investimet që ata i kanë deklaruar nuk kanë qenë në fabrikë”, i ka thënë Insajdeir përmes një përgjigje me e-mail Naim Kabashi.
Ai përsëri nuk e mohon borxhin, por thotë që tre ortakët kosovarë që po ia kërkojnë borxhin, duhet ta dëshmojnë atë me prova, sipas tij.
“Ne si palë qe kemi pranuar nuk kemi pasur qasje në objekt dhe s’kemi informata çka ka ndodhur ne kompani. Palët nuk kanë evidencuar kurrë atë investim real. Ne nuk kemi paguar gjërat të cilat nuk janë aty…. Nëse ata i vërtetojnë ato investime, Dhe ta dimë ku janë ato makineri, ne jemi të gatshëm ta bëjmë pagesën”, thuhet në pjesën tjetër të përgjigjes me e-mail të Kabashit për Insajderin.
Në vitin 2019 mediat në Shqipëri patën publikuar një shkrim mbi mënyrën se si u takuan dhe vendosën të jetonin së bashku në martesë ish-kickboxeri, tash biznesmen, Naim Kabashi dhe këngëtarja Ledina Çelo.
“Me Naimin u takova rastësisht në Zvicër. Ai asokohe kishte fituar statusin kampion bote në kickbox dhe ishte i ftuar special për të parë koncertin e këngëtarëve nga Shqipëria. Ishte hera e parë që më pa dhe pasi mbaroi koncerti, të gjithë artistët pimë kafe me të. Në fund më dha numrin e telefonit dhe më ftoi në ndeshjen e tij”, kishte treguar Çela.
Ajo pati treguar po ashtu se atë kohë nuk ia dha as numrin e telefonit duke thënë që “atëherë isha shumë e re dhe nuk doja lidhje serioze”
“U shkëputëm 10 vjet, ai pa jetën e tij, unë timen. Më pas ai u takua rastësisht me vëllain tim. Vëllai më telefonoi dhe më tregoi që e kishte takuar dhe donte të fliste me mua. Më pëlqeu shumë, kishte po atë butësinë si dikur dhe filluam komunikimin. Pas 1 viti duke folur në telefon u takuam“, tregonte Ledina Çelo./Gazeta Insajderi