Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) një institucion që buxhetin e krijon përmes kompanive të sigurimeve nga policat obligative për të cilat garant është shteti, për vite ka qenë në raportime si institucion i mbushur me afera e skandale. Pasi që ud..Drejtori i fundit dha dorëheqje, një konkurs i ri është hapur. Për të parin e këtij institucioni që e mbikëqyr Banka Qendrore garës ia kanë mësyrë 26 veta. Insajderi sjell emrat dhe detajet
Visar Duriqi
Një kompani private e kontraktuar nga Byroja Kosovare e Sigurimeve tashmë ka nisur punën që të intervistoi njerëz për të parin e këtij institucioni. Edhe në konkursin e fundit punën e njëjtë e bëri, por ai u anulua nga Asambleja pasi që emri që ishte propozuar në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) që mbikëqyr këtë institucion, Shefik Gërbovci dha dorëheqje.
Insajderi e kishte pyetur BQK-në, dhe ata nuk e kishin parë si problem që pasi që u tërhoq i pari në konkurs, të prishej krejt konkursi.
Pa shkuar tutje, nëse ky veprim ishte krejt i ligjshëm, BKS-ja ka hapur një konkurs të ri.
Intervistomi i kandidatëve tashmë ka filluar. Që nga e hëna e kësaj jave. Por, duket që do të marrë edhe një kohë. Kjo pasi që garës për të parin e këtij institucioni, që buxxhetin e krijon përmes kompanive të sigurimeve nga policat obligative për të cilat garant është shteti, i kanë hyrë 26 veta.
Insajderi merr vesh që kjo është lista e kandidatëve për Drejtorin e BKS-së:
1. Burim Krasniqi; 2. Blerim Burjani; 3. Alban Hetemi; 4. Visar Nura; 5. Besnik Hajdari; 6. Sevdi Dernjani; 7. Haki Nuza; 8. Shukri Gashi; 9. Orgesa Ibri; 10. Burim Krasniqi; 11. Fisnik Behxheti; 12. Vlora Obertinca; 13. Besnik Imeri; 14. Ibrahim Mala; 15. Adem Selmani; 16. Valdet Drenovci; 17. Rrezarta Rugova Tafilaj; 18. Fexhrie Thaqi; 19. Fadil Veseli; 20. Teuta Ukshini Aliu; 21. Bajram Gashi; 23. Xhevat Seferi; 24. Krenare Pirana Kiseri; 25. Sokol Berisha dhe 26. Valmir Rexha.
Insajderi ka bërë për vite me radhë, raportim për afera e skandale që e kanë shoqëruar këtë institucion, që mbikëqyret nga BQK-ja, e që herë pas here kanë nisur hetime, dhe disa tjera janë ende aktive edhe tash kur po zhvillohet gara për Drejtorin e BKS-së.
Një nga to është edhe hetimi për aferën një milionëshe, të cilën e zbuloi auditorja e brendshme, Krenare Pirana Kiseri që po ashtu është në garë për Drejtoreshë të BKS-së.
Hulumtimi i Insajderit në mars 2025 zbardhi se një auditim i brendshëm brenda BKS-së ka evidentuar thuajse një milion euro – që nuk janë dokumentuar me dosje bazike. Kur e mori raportin Këshilli dhe Asambleja e Byrosë patën vendosur ta dërgojnë rastin tek Prokuroria për hetim penal.
Një hulumtim tjetër i Insajderit i publikuar në qershor 2024, zbuloi se Byroja ishte viktimë e një sulmi kibernetik “ransomware”, i cili bllokoi aksesin në bazën e të dhënave, ndërsa vetë BKS nuk kishte as rezervë (backup) për rikuperim. As autorësinë e sulmit dhe as kohën e rikuperimit, institucioni nuk i di qartë, dhe ky skandal u mbajt konfidencial, derisa Insajderi publikoi një seri raportimesh po për ekzaminimin e BQK-së bërë në BKS, një raport mbi 30 faqesh i vulosur konfidencial.
Insajderi pati zbuluar po ashtu se pagat në BKS kanë tejkaluar limitet e lejuara deri në 1 075 %, sipas raportit konfidencial të BQK-së. Kjo shkelje është konsideruar skandaloze dhe nxjerr në pah menaxhimin jo-transparent të buxhetit publik.
Në një tjetër analizë, BQK konstaton se BKS ka mungesë të kontrollit të brendshëm, ndërkohë që menaxhimi i rreziqeve nuk është i mjaftueshëm. Kjo do të thotë se institucioni është i ekspozuar ndaj humbjeve të thella në fushat e raportimit financiar, dëmeve, burimeve humane dhe teknologjisë – elementë që rrezikojnë seriozisht qëndrueshmërinë financiare të sektorit.
Insajderi po ashtu pati raportuar se si ish-Drejtori i BKS-së ishte ndëshkuar me masë përjashtime 5 vite nga industria e sigurimeve, derisa edhe një sërë drejtorësh të kompanive të sigurimeve, kryesisht pronë e multi-milionerëve, patën marrë vërejtjen e fundit që në thelb është para-përjashtim po ashtu për gjysmë dekade nga industria. Disa prej tyre janë ende në organet drejtuese të BKS-së.
Insajderi raportoi gjithashtu se BKS përdori një metodë të diskutueshme për depozitimin e parasë në pikat kufitare – duke mos pasur sigurim ndaj humbjeve apo marrëveshje me kompani transportuese, duke e ekspozuar Byroja ndaj rreziqeve financiare të konsiderueshme.
Gazeta Insajderi ka ofruar një sërë hulumtimesh që zbulojnë probleme të thella në mënyrën se si funksionon Byroja e Sigurimeve (duke përfshirë keqmenaxhim institucional, sulme kibernetike, tejkalime buxhetore dhe sfida etikë në prirjen drejtues. Së fundmi, gazetari Insajderi ka hedhur dritë dhe mbi zhvillimet rreth Shefik Gërbovcit, ish-ushtruesit të detyrës së Drejtorit.
Insajderi raportoi se Gërbovci u emërua si Drejtor Ekzekutiv sipas një konkursi jo-publik, ndërkohë që BQK-ja e anulloi këtë procedurë. Gjithsesi, ai vijoi të mbetej në detyrë si ushtrues i detyrës.
Në një dokument të siguruar nga Insajderi, BQK vuri në pah se Shefik Gërbovci kishte konflikt interesi, por pavarësisht kësaj, Asambleja e BKS e renditi sërish në vendin e parë, në konkursin tashmë të prishur.
Insajderi raportoi se Gërbovci mori pjesë në “Serbian Insurance Days” – një konferencë në Serbi, ndërsa, në mes të sulmeve terroriste mbi infrastrukturën në veri të Kosovës.
Edhe pse Gërbovci kishte dorëzuar dorëheqjen, Asambleja – e përbërë nga drejtues të kompanive të sigurimeve – vendosi ta mbajë atë në detyrë. Kursimi i vendit të tij u shoqërua me anulimin e konkursit të jashtëm që kishte nisur më parë.
Lexo raportimet e Insajderit për BKS-në:
Sulmi kibernetikë që u mbajt sekret – si po i rrezikon të dhënat e kosovarëve Byroja e Sigurimeve
Shteti ngrit dyshime për paratë cash që Byroja e Sigurimeve i mori për policat kufitare
Rregullorja e BQK-së që dyshohet se ‘fshiu’ milionat e shoferëve kosovarë
Portali nga Shqipëria: Me shokët e tij në krim, kështu funksionon prokurori Dren Paca
BQK ndëshkon Sami Mazrekun- Gjysmë dekade jashtë industrisë së sigurimeve
BQK-ja i qet para-përjashtim dy drejtuesit e lartë të PriBank e PriSig