Ministri në detyrë për Evropën dhe Punë të Jashtme në Qeverinë e Shqipërisë, Gent Cakaj ka vlerësuar lartë fjalimin e presidentit të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve amerikan, Eliot Engel, duke thënë se ai shprehu fare qartë, jo vetëm thirrjen që Serbia të pajtohet me realitetin e ri në Ballkan, duke njohur Republikën e Kosovës, por edhe absurditetin e plotë të pengimit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Çakaj duke iu referuar fjalimit të fundit të kongresistit mbi Ballkanin, ka shkruar në Facebook se derisa ai është i qartë në rëndësinë e vënies së drejtësisë për këdo që ka kryer krime, ai po ashtu thekson se Serbia pothuajse s’ka bërë asgjë në ndëshkimin e krimeve të luftës, duke përmendur veçanërisht rastin e vëllezërve Bytyqi.
“Kongresisti Engel ka qenë një prej zërave më të vyer, mbështetësve më të mëdhenj dhe personave më të angazhuar për pavarësinë e Republikës së Kosovës, për tre dekada radhazi. Për këtë, ai meriton falënderime të pamata e mirënjohje të pafundme”, ka shkruar ai.
Serbia nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian derisa të njohë Kosovën, tha të martën presidenti i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve amerikan, Eliot Engel.
“Kosova është e pavarur, ajo kurrë nuk do të kthehet,” tha Engel në mbledhjen e bordit, në të cilën Daniel Server, Janusz Bugajski dhe Madeleine Albright ishin gjithashtu të ftuar.
Engel ka treguar se çfarë po e shqetëson Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së.
“Sinqerisht, bllokimi i njohjes së Kosovës dhe anëtarësimi i saj në OKB vetëm shqetëson Serbinë, sepse hyrja e saj në BE nuk do të lejohet derisa të njohë pavarësinë e Kosovës,” tha Engel.
Komiteti po shqyrton strategjitë që administrata e re e SHBA e kryesuar nga Joseph Biden mund të zbatojë për Ballkanin Perëndimor dhe Serbinë.
Sipas Eliot, Kosova ka qenë e pavarur për më shumë se dhjetë vjet dhe tani është anëtare e një numri të organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare.
“Nëse ora kthehet tre dekada mbrapa, ajo do të ishte vetëm një ëndërr. Nuk mund ta imagjinoja të dëgjoja ato fjalë, por sot Kosova është bërë anëtare e Bankës Botërore, FMN dhe më shumë se 110 vende e kanë njohur pavarësinë e saj, përfshirë SHBA, Britaninë, Francën, Gjermaninë, Japoninë dhe shumë vende të tjera të rëndësishme”, u shpreh Engel.
Engel gjithashtu e pranoi se asnjë vend nuk i ka prekur zemrën më shumë se Kosova.