Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka deklaruar se nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme pa dekretim të mandatarit.
Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se pas dështimit të votimit për qeverinë pardjeshëm, së pari duhet të zhvillohen konsultimet e Presidentes me partitë dhe të vendoset nëse dhe kujt do t’i jepet mandati i dytë.
“Jo, nuk mund të thirret seancë e jashtëzakonshme tani për tani! Derisa të përfundojë kjo procedurë dhe të ketë dekret për mandatarin, Kuvendi nuk ka bazë dhe rrethana për t’u mbledhur për çfarëdo votimi, përfshirë atë të qeverisë. Nënshkrimet që po përmenden nuk kanë efekt juridik jashtë procesit të konsultimeve,” tha Cakolli.
Ai shtoi se nënshkrimet mund të shërbejnë vetëm si provë gjatë bisedimeve me Presidenten, brenda kuadrit të “kritereve mbizotëruese”. Për më tepër, për të dëshmuar shumicën nevojiten 61 nënshkrime të verifikuara, jo vetëm 40 për thirrjen e seancës.
“Ngjashëm, seanca e jashtëzakonshme nuk mund të thirret as për ligjin për buxhetin. Detyra e parë dhe e patejkalueshme e Kuvendit pas zgjedhjeve është zgjedhja e Qeverisë, jo miratimi i ligjeve. Mbi të gjitha, vetëm një Qeveri e kësaj legjislature mund të propozojë projektligj për buxhetin,” përfundoi ai.