×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    CDU-ja zgjedh vazhdimësinë

    Insajderi
    18 January 2021 - 10:32

    Parashikueshmëri në vend të rrezikimit. Me Armin Laschet, CDU vendosi për rrugën e Merkelit, “edhe më tej kështu”. Nga pikëpamja taktike, Laschet është zgjedhja më e mirë në vitin zgjedhor, mendon Katharina Kroll.

    Në mesin e pandemisë së Coronës, Armin Laschet i premtoi partisë së tij vazhdimin e kursit dhe stilit politik të Angela Merkelit. Laschet do të jetë kapiten i ekipit, të mbajë të bashkuar partinë dhe vendin. Asnjë rrezikim, por besim dhe besueshmëri. Me fitoren e tij Laschet e ka të siguruar si opcion pushteti postin e kancelarit. Nëse ai i futet edhe garës si kandidat për kancelar kjo nuk është vendosur ende. Si kreu i partisë ai ka të drejtën i pari për kandidaturën. Armin Laschet e ka thënë qartë, se ai është gati edhe për postin e kancelarit.

    Dy konkurrentë në pritje

    Por në sfond dy konkurrentë të fortë presin për shansin e tyre. Të dy kanë vlera të larta në sondazhe. Markus Söder, kryeministri bavarez dhe kryetar i partisë kristiansociale, CSU. Si edhe Jens Spahn, partneri i ekipit të Laschetit në kandidaturën për kreun e partisë. Si ministër i Shëndetësisë ai është në mënyrë të vazhdueshme prezent në media në kohën e pandemisë, dhe në sondazhet e popullaritetit madje ka kaluar edhe kancelaren Merkel.

    Vullneti për të qeverisur – pas këtij synimi është mbledhur gjithmonë CDU-ja. Kjo parti ka një pretendim të qartë për pushtet. Në këtë pikë bëhet fjalë tani për kandidatin me më shumë shanse. Pavarësisht dëshirave personale për pushtet, Armin Laschetit mund t’i besohet, se ai ka parasysh, edhe se cili kandidat ka për Unionin shanset më të mira për suksesin në zgjedhje. Kjo e dallon atë nga konkurrenti i mundur, Friedrich Merz. E pikërisht për këtë ai fitoi tek të deleguarit.

    Detyra kryesore e Laschetit këtë moment është të pozicionojë me një strategji të mençur dhe me përmbajtje CDU-në. Partia CDU u ndodh vërtet para zgjedhjes së kursit të saj. Ajo vendosi kundër zhvendosjes përmbajtësore nga e djathta dhe me këtë doli kundër Friedrich Merzit. Ai dëshironte një parti dukshëm më konservatore, me një profil më liberal në ekonomi. Armin Laschet përkundrazi nuk do të heqë dorë nga strategjia e suksesit të Merkelit, i votueshëm edhe nga ata që e vendosin veten pak më majtas se qendra. Një ndryshim themelor, një fillim i ri nuk pritet me të. Laschet do të drejtojë me ton të moderuar e do të theksojë socialen dhe komunitetin.

    Ndërmjetësim dhe baraspeshim

    Por vetëm nëse ai e tërheq të gjithë partinë pas vetes, Laschet ka shansin që të bëhet edhe vetë kancelar për kandidat. Rivali i tij, Friedrich Merz ka polarizuar shumë. Ai ka përkrahës të flaktë, që janë të zhgënjyer tani. Por Laschet qëndron për ndërmjetësim dhe baraspesim, edhe për këtë e votuan atë të deleguarit.

    Ndërmjetësim, baraspeshim, kërkim i zgjidhjeve dhe kompromisit – pikërisht për këtë stil njihet Angela Merkel. Pikërisht për këtë ajo është kaq e vlerësuar në botë, sidomos në Europë. Ajo konsiderohet aty si mishërim i negociatave të duruara dhe kompromisit. Partnerët ndërkombëtarë të Gjermanisë nuk do të presin me Armin Laschetin as gjurulldi dhe as konfrontim, edhe në politikën e jashtmë ai qëndron për një “edhe më tej kështu”. Laschet është një europian i bindur. Promarrëdhënieve transtatlantike. Ai thekson sigurinë e brendshme dhe të jashtme. Politikën e refugjatëve të Angela Merkelit Laschet e mbështeti në mënyrë aktive.

    Lufta për kandidaturën e kancelarit është hapur

    Laschet në konkurrimin e tij vuri të parën frymën e ekipit. Jo vetëm, pse në këtë garë ai doli së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Jens Spahn, paraqitja e tij është integrative, dhe jo përjashtuese. Ai rrezaton ngrohtësinë dhe harenë e zonës së Rinit. Politika e ftohtë e pushtetit nuk është tipar i tij. Si kryeministër i landit të Renani-Veriore Vestfalisë ai ka marrë në kabinet një ekip të fortë, ministrat e tij kanë fituar pikë me kompetencë profesionale duke i rritur vlerat e popullaritetit të tij.

    Në sondazhet aktuale, CDU-ja kryeson pakontestueshëm si partia më e fuqishme. Këtë fuqi ajo e ka edhe falë popullaritetit të Angela Merkelit, përkundër kësaj, Armin Laschetin nuk e dëshiron shumica e gjermanëve si kancelar të ardhshëm. Në pandeminë e Coronës politika është bërë më e paparashikueshme se kurrë. Varet nga gjetja e përgjigjeve të duhura për krizën dhe menaxhimi më i mirë. Tani raundi tjetër për luftën se kush do të pasojë Angela Merkelin si kancelar u hap./DW.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark