Insajderi
Lajme

Çështja e legalizimeve – Sveçla me akuza të rënda ndaj Ramës: Sinjalizuesi pretendon se janë transferuar shuma të mëdha në Angli, kanë nisur hetimet

Insajderi
26 August 2026 - 14:12
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Çështja e legalizimeve – Sveçla me akuza të rënda ndaj Ramës: Sinjalizuesi pretendon se janë transferuar shuma të mëdha në Angli, kanë nisur hetimet
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se materiale të reja të pranuara nga një sinjalizues anonim janë dorëzuar në hetuesinë e Policisë së Kosovës, lidhur me pretendimet për shkelje në procesin e legalizimeve në Komunën e Prishtinës.

Sipas Sveçlës, sinjalizuesi, i cili prezantohet si punëtor i Komunës së Prishtinës, ka dërguar materiale ku, sipas tij, përmenden emra të bizneseve, zyrtarëve dhe shkelje të pretenduara ligjore gjatë procesit të legalizimit.

“Materialet kanë të bëjnë me çështjen tashmë të përfolur të skandalit të legalizimit të paligjshëm që ka ndodhur në Komunën e Prishtinës. Konkretisht, tashmë tregohet qartë, përmenden emrat e bizneseve, emrat e zyrtarëve dhe shkeljet ligjore që kanë ndodhur gjatë këtij procesi”, ka deklaruar Sveçla.

Ai ka ngritur dyshime edhe për legalizimin e objekteve që, sipas tij, kanë probleme të ndryshme ligjore, përfshirë raste kur një pjesë e objekteve ndodhen në pronë publike apo janë ndërtuar pas vitit 2018.

Por, përveç çështjes së legalizimeve, Sveçla ka thënë se materialet përmbajnë edhe pretendime për transfere të shumave të mëdha të parave nga Kosova drejt Anglisë.

Sipas tij, sinjalizuesi pretendon se autoritetet britanike kanë nisur hetime lidhur me këto transfere, ndërsa një pretendim i tillë, sipas Sveçlës, lidhet edhe me Prokurorinë e Shtetit në Kosovë.

“Po ashtu, ky email, përveç çështjes së legalizimeve, përmban edhe një varg pretendimesh të tjera, të cilat, sipas sinjalizuesit, gjithmonë kanë ndodhur në Komunën e Prishtinës, që kanë të bëjnë me shkelje të ndryshme ligjore. Duke filluar nga transfere të shumave të mëdha që kanë ndodhur nga Kosova në Angli, sipas pretenduesit autoritetet britanike i kanë filluar hetimet”, tha ai.

Sveçla ka shtuar se pretendimet nuk lidhen vetëm me keqmenaxhimin, por edhe me dëme të mundshme financiare.

Ndërkohë, ai ka shtuar se materialet e plota të dosjes ende nuk janë siguruar.

“Dhe të mos harrojmë ta potencojmë se ne ende nuk i kemi parë dosjet. Kemi marrë vetëm certifikatat e legalizimeve dhe ende jemi në pritje të përgjigjes nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, pasi Komuna e Prishtinës ka refuzuar të na japë përgjigje. Të gjitha këto na bëjnë me dije se nuk mund të flasim vetëm për keqmenaxhim, por kur keqmenaxhimit i shtohen edhe dëmet financiare, atëherë lirisht mund të themi se po bëhet plaçkitje”, tha ai.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark