×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Çfarë ndodhi me vilat e Brezovicës dhe me “Giovanni Falcone”-n e Kosovës?

    Insajderi
    19 October 2023 - 16:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    75 vilat e sekuestruara në rastin “Brezovica”, në pronësi të biznesmenëve e figurave të ndryshme publike, u liruan në korrik të këtij viti si shkak i mos-përfilljes së afatit ligjor nga ana e prokurorit të rastit, Rasim Maloku. Ky i fundit, pas vendimit u zhduk nga peizazhi mediatik dhe s’pati asnjë koment lidhur me vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës për lirimin e tyre nga masa e sekuestrimit.

    Gjykata Themelore në Pejë në korrik të këtij viti ka urdhëruar lirimin e 75 vilave të konfiskuara nga shteti në Brezovicë.

    Kjo gjykatë hodhi poshtë kërkesën e prokurorit të rastit, Rasim Maloku, për caktim të masës së sigurisë për vilat e sekuestruara.

    Nga kjo gjykatë thanë se kërkesa e Malokut për vazhdimin e masës së sekuestrimit ishte e pasafatshme.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake e hodhi si të pa afatshme kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar. Të njëjtat është urdhëruar që të lirohen”, njoftuan Gjykata e Pejës.

    Maloku kishte pritur rreth gjashtë muaj për të parashtruar kërkesën e radhës për masë të sigurisë për pronat e sekuestruara, ndonëse ligji parasheh afat prej 60 ditësh për të njëjtën.

    Ai në një prononcim për Insajderin, ditën kur gjykata kishte vendosur për lirimin e vilave, kishte thënë se do të dërgohet ankesë në Gjykatën e Apelit për vendimin e Themelores. Kësisoj, ai bëri thirrje që të lexohej neni 542 të KPP-së.

    “Vendimin e Gjykatës nuk e komentojmë. Ne do të dërgojmë ankesë në Gjykatën e Apelit”, kishte deklaruar ai

    Insajderi që nga ky vendim, ka provuar disa herë të kontaktojë me Malokun, prokurori të cilit i referoheshin edhe “Giovanni Falcone” (prokurori i famshëm italian), por s’ka marrë përgjigje nga ai. Që nga atëherë, Maloku është zhdukur nga peizazhi mediatik.

    Nga Zyra për Informim e Gjykatës së Apelit i kanë bërë me dije Insajderit se Maloku ka dërguar ankesë për urdhrin gjykues të shkallës së parë më 25 korrik. Sipas tyre, ende nuk është marrë vendim për këtë.

    75 vila në Brezovicë, Zonën e Dytë të Parkut Kombëtar “Sharri”, ishin konfiskuar në nëntor të vitit të kaluar me urdhër të Gjykatës në Pejë.

    Gjatë vitit të kaluar, Maloku kishte thënë për Insajderin se priten të sekuestrohen diku rreth 80 vila.

    “Deri në fund të aksionit pritet të sekuestrohen rreth 80 villa, ato janë të personave që janë arrestuar më herët, ose që janë nën hetime nga Prokuroria. Nëse gjatë ditës del diçka e re, edhe ato rastet do ti fusim nën hetime”, kishte deklaruar ai. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark