Chelsea thuhet se është i gatshëm të shpenzojë 60 milionë euro për të nënshkruar me qendërmbrojtësin e Interit, Alessandro Bastoni në merkaton e janarit.
Sipas medias italiane TV Play, londinezët po kërkojnë një zëvendësues afatgjatë të Thiago Silva, i cili është në gjashtë muajt e fundit të kontratës së tij.
39-vjeçari është një lojtar kyç i mbrojtjes së Mauricio Pochettinos, pasi ka luajtur 18 ndeshje në Premier League këtë sezon.
Bastoni iu bashkua Interit nga Atalanta në vitin 2017 për 31.1 milionë euro. Edhe pse 24-vjeçarit iu desh kohë për të fituar një vend si titullar, ai tani është një nga lojtarët më të qëndrueshëm të ekipit.
Këtë sezon, Bastoni ka nisur 13 ndeshje në Serie A pasi mungoi në dy për shkak dëmtimi. Ai ka luajtur 183 paraqitje në total për zikaltrit, duke shënuar tre gola dhe duke dhënë 14 asiste.
Sipas raportit të lartpërmendur, Chelsea përballet me konkurrencë nga Real Madrid për nënshkrimin e lojtarit. Trajneri i Los Blancos, Carlo Ancelotti thuhet se është një admirues i italianit.
Duke qenë se gjigantët e Serisë A po përballen me vështirësi financiare, Interi mund ta shesë Bastonin për rreth 60 milionë euro. Megjithatë, një lëvizje në Stamford Bridge mund të mos duket lëvizja e duhur për momentin, me Chelsean që nuk luan në kompeticionet europiane dhe që mban vendin e dhjetë në Premier League.