×
  • Biznes
  • Biznes / Teknologji

    Cili është hapi i radhës i Netflix?

    Insajderi
    29 August 2021 - 12:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kompania ka pushtuar tregun e transmetimit të videove në Amerikë. Cili është hapi i saj i ardhshëm?

    Ndërkohë që u imponuan karantinat vitin e kaluar, njerëzit nisën të blinin gjëra thelbësore për në shtëpi: ushqime, ilaçe dhe një abonim në Netflix, shkruan The Economist.

    Në gjysmën e parë të vitit 2020, gjiganti transmetues regjistroi 25 milionë anëtarë të rinj në nivel global, dy herë më shumë se një vit më parë. Teksa u shtua numri i shikuesve që mundonin të harronin pandeminë, duke u argëtuar përpara televizorit, filmi “Outbreak” i vitit 1995, ishte një ndër dhjetë më të shikuarit në Netflix.

    Tani, ndërkohë që ekonomitë e botës po rihapen, Netflix nuk ka më popullaritetin e mëparshëm. Më 20 korrik, ai regjistroi 1.5 milionë abonime të reja midis prillit dhe qershorit, 85% më pak se një vit më parë. Në Amerikë dhe Kanada, ku tregu është i ngopur dhe konkurrentët po shtohen, numri i përgjithshëm i abonentëve ra me 430,000. Çmimi i aksioneve të Netflix, që u rrit me gati 50% në gjysmën e parë të vitit 2020, pothuajse nuk ka ndryshuar vitin e kaluar (dhe ka rënë me 3% më 21 korrik).

    Kjo ngecje nuk është aspak befasuese. Shumë anëtarë të rinj nga viti 2020 tërhoqën abonimet që do të kishin blerë këtë vit. Por gjithsesi Netflix përballet me një dilemë në periudhën afatgjatë. Kompania e nisi biznesin duke dhënë me qira DVD me postë. Akti i saj i dytë dhe i jashtëzakonshëm ishte të shpikte dhe dominonte në fushën e transmetimit të videove me abonim. Tani, ndërsa tregjet e pasura po ezaurohen dhe rivalët po përparojnë, rritja duhet të burojë nga diku tjetër. Kështu, sezoni i tretë i Netflix premton vende të reja ekzotike dhe ndoshta një kthesë të madhe.

    Pavarësisht se ka ngecur rritja e numrit të abonentëve amerikanë, Netflix ka hapësirë ​​për t’i rritur tarifat. Ai fiton 14.88 dollarë në muaj nga çdo abonent, më shumë se dyfishi i përfitimeve të Disney+, rivali kryesor, llogarit firma analitike MoffettNathanson. E megjithatë, më pak anëtarë e braktisin Netflix në muaj sesa transmetuesit e tjerë, sipas shoqërisë së të dhënave Antenna. Rritja e mëtejshme e çmimeve mund të rrisë të ardhurat e Netflix me 7% në vit, thotë MoffettNathanson.

    Megjithatë, pjesa më e madhe e rritjes do të vijë nga jashtë shtetit. Vitin e kaluar, për herë të parë, Netflix fitoi më shumë se gjysmën e të ardhurave jashtë Amerikës dhe Kanadasë. Deri në vitin 2025, kjo pjesë pritet të arrijë në dy të tretat. Tashmë, nëntë në dhjetë abonentë të rinj jetojnë jashtë vendit (shiko grafikun 1).

    Shtrirja ndërkombëtare është e vështirë. Shumica e të huajve janë më të varfër, madje edhe të pasurit nuk shpenzojnë shumë në abonimet televizive. Një abonent mesatar i kabllorëve amerikanë paguan gati 100 dollarë në muaj. Një familje mesatare britanike shpenzon më pak se 45 dollarë.

    Netflix i ka rezistuar uljes së çmimeve, kështu që edhe në Indi, ku të ardhurat janë më të ulëta, pagesa është 8.70 dollarë në muaj. Koncesioni më i madh i kompanisë ka qenë krijimi i një plani vetëm për celularë, që tani funksionon në më shumë se 70 tregje. Indianët mund të regjistrohen në këtë program për 2.70 dollarë.

    Ashtu si pengesat financiare, ato kulturore janë të larta në botën e show business. Shoqëria kërkimore Enders Analysis, zbuloi se programet e krijuara nga transmetuesit britanikë ishin më të pasur me kulturën vendase sesa ato të krijuara nga transmetuesit e huaj. “Edukimi seksual”, një seri nga Netflix që xhirohet në Anglinë rurale, gjeneronte më pak se pesë referenca britanike në orë.

    Ndërsa “Peep Show”, një film hit i krijuar nga regjisorë vendas, gjeneronte më shumë se 35 referenca, nga “johnnies” (prezervativë), tek Findus Crispy Pancakes, një ëmbëlsirë vendase. Reed Hastings, drejtuesi i Netflix, tha në prill se firma ishte “ende duke zbuluar gjëra” në Indi, ku disa drejtues të lartë kanë dhënë dorëheqjen dhe rivalë si Disney+ dhe Amazon kanë përparuar.

    Sidoqoftë, në betejën ndërkombëtare, Netflix po fiton. Deri në fund të vitit, do të ketë 31 milionë abonentë në Azi, sa dyfishi i Disney +, sipas parashikimit të Media Partners Asia (MPA), një firmë këshillimore në Singapor. Por tre të katërtat e abonentëve të kompanisë Disney janë në Indi, ku ajo ka fituar të drejtat ekskluzive të kampionatit Premier League të sportit kriket, mjaft popullor në Indi.

    Megjithatë, nga kjo Disney fiton më pak se 1 dollar të ardhura për abonent. Në të kundërt, më shumë se 60% e anëtarëve aziatikë të Netflix ndodhen në vende me tregje të pasura si Australia, Japonia dhe Koreja e Jugut. MPA parashikon që të ardhurat aziatike të Netflix të arrijnë rreth 3.2 miliardë dollarë këtë vit, krahasuar me 800 milionë dollarë për Disney+.

    Dhe ndërsa në Amerikë, Netflix po garon me një duzinë transmetuesish të tjerë, në tregjet ndërkombëtare ai rrallëherë është përballur me më shumë se dy rivalë seriozë. Pasi WarnerMedia të largohet nga korporata pronare AT&T dhe të bashkohet me Discovery, siç është planifikuar, ndikimi global i HBO MAX do të rritet.

    Por miratimi i rregullatorëve për këtë marrëveshje mund të zgjasë deri në një vit dhe gjatë kësaj kohe, Netflix mund të ketë fituar rreth 30 milionë abonentë të tjerë. Gjithashtu, një partneritet i përfolur midis Comcast, kompani kabllore që zotëron NBCUniversal dhe ViacomCBS, një tjetër grup mediatik, mund të kërkojë kohë për t’u materializuar.

    Nga konkurrentët e Netflix, vetëm Amazon dhe Apple, janë me të vërtetë globale; secili prej tyre pretendon se transmeton për audienca në më shumë se 100 shtete. Por të dyve u mungon aftësia prodhuese e Netflix. Vitin e kaluar, Netflix u bë komisioneri më i madh i skenarëve europianë, duke ua kaluar BBC, France TV dhe ZDF-së gjermane, llogarit shoqëria kërkimore Ampere Analysis.

    Ajo ka më shumë shfaqje televizive të huaja sesa tre rivalët e saj kryesorë të kombinuar, dhe po xhiron në rajone ku Hollywood ka frikë të shkelë. Projektet e fundit përfshijnë filmin e parë rus, një përshtatje e romanit “Ana Karenina” dhe disa shfaqje koreane në lidhje me temën K-pop.

    Falë suksesit ndërkombëtar, të ardhurat totale të Netflix do të rriten me rreth 14% në vit deri në vitin 2025, llogarit MoffettNathanson. Kompania po grumbullon një shtesë prej 5 miliardë dollarësh çdo vit. Kjo është një shifër shumë më e lartë se fitimet e rivalëve të tjerë të Netflix.

    Megjithatë, disa investitorë nuk e krahasojnë Netflix në fushën e industrisë së argëtimit, por me kompanitë e mëdha teknologjike. Ky krahasim është paksa i tepruar. Çmimet e aksioneve të gjigantëve amerikanë të teknologjisë, si Alphabet, Amazon, Apple, Facebook dhe Microsoft, kanë vazhduar të rriten edhe me zbutjen e pandemisë (shih grafikun 2).

    Rritja e të ardhurave të tyre deri në vitin 2025, pritet të jetë rreth 20% në vit. Për t’iu afruar këtyre kompanive, Netflix duhet të mendojë përtej normave ekzistuese, sepse, siç shprehet Matthew Ball, kompani mediatike, konsumatorët tani nuk po pyesin më “Çfarë duhet të shikojmë në televizor?” (ku zakonisht përgjigjja është Netflix), por “Çfarë duhet të bëjmë?”

    Përgjigjja e pyetjes së dytë, për shumë njerëz, janë video-lojërat. Ato gjenerojnë gati 180 miliardë dollarë në vit në të ardhura globale dhe po zgjerohen me shpejtësi. PWC vlerëson se përqindja e lojërave në shitjet globale të mediave argëtuese është rritur nga 15% në vitin 2019, në 19% këtë vit. Në Amerikë, personat nën 25 vjeç tashmë i rendisin lojërat si aktivitetin e preferuar në kohën e lirë (ndërsa shfaqjet televizive dhe filmat renditen të fundit).

    Zoti Hastings ka pohuar prej kohësh se për sa i përket vëmendjes së njerëzve, Netflix nuk po konkurron vetëm me kompanitë rivale të së njëjtës fushë, si HBO, por edhe me “Fortnite”, një lojë mjaft popullore online. Deri tani, Netflix ka luftuar për të tërhequr vëmendjen e konsumatorëve me shfaqjet televizive (dhe, së fundmi, me evente live dhe shfaqje podcast që synojnë të nxisin angazhimin e audiencës).

    Tani kompania po synon të garojë me zhvilluesit e lojërave. Pasi punësoi Mike Verdu, si drejtuesin e sektorit të lojërave online, Netflix planifikon t’u ofrojë abonentëve lojëra online në aplikacionin celular, brenda një viti. Një person me njohuri mbi këtë plan, thotë se investimi fillestar është një përqindje njëshifrore e buxhetit vjetor të Netflix prej 17 miliardë dollarësh, por me shpresën se kjo do të rritet.

    Media të tjera dhe gjigantë të teknologjisë janë përpjekur dhe nuk kanë arritur dot të depërtojnë në fushën e video-lojërave, sepse natyra ndërvepruese e tyre kërkon një infrastrukturë të ndryshme teknike për transmetimin e videove. Disney e ka mbyllur studion e tij të lojërave. Google dhe Amazon gjithashtu nuk e kanë tërhequr dot interesin e konsumatorëve në shërbimet e tyre të transmetimit të lojërave, Stadia dhe Luna.

    Është e paqartë se si Netflix do të manovrojë ndaj faktit që Apple i ka ndaluar platformat e lojërave në dyqanin e tij të aplikacioneve. Dhe duke qenë se shumë video-lojëra hit si “Fortnite” fitojnë para përmes mikro-blerjeve brenda lojës, Netflix do të përfshijë lojëra në abonimin e tij, një model që nuk ka shumë shembuj të mëparshëm të suksesshëm.

    Këto vështirësi bëjnë që shumë veta të dyshojnë se ndoshta Netflix do të përfshihet në një blerje të mundshme. “Lojërat janë si ndërmarrjet farmaceutike – duhet të shpenzoni me vite të tëra në ndërtimin ose blerjen e strukturës materiale”, thotë një veteran i industrisë së lojërave. Edhe pse Netflix ka preferuar të rritet në mënyrë organike, ai zotëron mjetet për të rritur shpenzimet. Kompania arriti fitime të mëdha vitin e kaluar dhe do të gjenerojë edhe më tepër. Biznesi i abonimeve e lejon të marrë borxh në mënyrë të sigurt.

    Publikuesi më i madh i lojërave në Amerikë, Activision-Blizzard, ka një kapital tregu prej rreth 70 miliardë dollarë, duke e bërë atë një objektiv “të realizueshëm” për Netflix, i cili vlen 228 miliardë dollarë, beson një nga investitorët e transmetimit. Të tjerë spekulojnë në lidhje me një marrëveshje me Microsoft, i cili zotëron teknologji lojërash cloud dhe një studio lojërash.

    Hapi nga videot te lojërat është vërtet një hap i madh – madje, tepër i madh për një kompani që nuk ka dalë jashtë zonës së saj të komfortit, besojnë disa ish-përdorues të Netflix. “Tani Netflix është shumë më tepër një kompani argëtuese tradicionale”, ankohet dikush, duke shtuar se kultura e ndërmarrjes së rrezikut nuk është më e përshtatshme për stafin prej 9,000 punonjësish, në krahasim me numrin fillestar prej vetëm qindra njerëzish.

    Por Netflix mbetet gjithsesi më fleksibël se gjigantët e teknologjisë, me një fuqi punëtore prej disa qindra mijë personash dhe burokraci më të ngurtë, vëren një aksioner. Dhe lëvizja drejt lojërave mund të mos jetë aq e madhe sa kalimi nga shërbimi postar në internet, të cilin Netflix e arriti me sukses. Duke kërkuar një analogji kinematografike për të përshkruar kompaninë, një aksioner zgjodhi filmin klasik të vitit 1953: “The Wild One”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark