Nënkryetarja e PDK-së dhe deputetja e kësaj partie, Vlora Çitaku, i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili fajësoi partitë opozitare që vendi po shkon drejt zgjedhjeve.
Deputetja e PDK’së, i ka kërkuar Kurtit edhe që, të qeverisë, bashkëpunojë, ose që ta lëshojë rrugën e t’i lërë ankesat.
“Kryeministër, qetësohu. Përkundër kapjes së institucioneve, Kosova fatmirësisht nuk është vetëm e jotja. Si do t’ia shpjegosh popullit që t’i dhanë 51% të votave se nuk dëshiron e nuk din të qeverisësh? Këtë e di ti, mirëpo çfarë di unë është se ti do ta marrësh përgjigjen e merituar nga ta. Prandaj, lutja ime është krejt e sinqertë: Ose qeveris, bashkëpuno e jepi drejtim Kosovës, ose lësho rrugë e lëri më ankesat, krizat e lojërat fëmijërore në kurriz të qytetarëve”, tha ajo.
Çitaku tha se populli do të flasë me votë.
“Ti nuk je armiku ynë. Ti je vetëm një sfidë që, në ditën kur nuk do të jesh në drejtimin e vendit, për shtetin dhe qytetarët do të bëhet shumë më mirë. Shihemi në zgjedhje, atje ku ky popull i abuzuar politikisht nga ti për shumë vjet, do të flasë me votë. I paaftë”, përfundoi deputetja e PDK-së.