
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të konstituuar qeverinë edhe sot, duke e quajtur këtë përpjekjen e shtatë të pasuksesshme.
Çitaku e ka cilësuar si të papërgjegjshme dhe të papranueshme mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e trajton Kosovën, institucionet dhe qytetarët e saj. Ajo ka theksuar se përpjekja e vazhdueshme për të degraduar çdo institucion është bërë një karakteristikë e kësaj lëvizjeje, shkruan Insajderi.
“Përpjekja e vazhdueshme për të degraduar çdo institucion është konstanta e vetme e kësaj lëvizjeje. Nga gurët dhe gazi, deri te kryeneçësia e pakuptimtë, LVV nuk ka zgjedhur kurrë mjete për të sulmuar dhe dëmtuar institucionet e këtij vendi. LVV e ka në dorë të zhbllokojë punën e Kuvendit,” ka shkruar Çitaku në Facebook.
Sa i përket zhbllokimit të procesit, Çitaku theksoi se LVV nuk po merr hapa të nevojshëm, pasi sipas saj përdorimi i mjeteve normale politike dhe demokratike nuk është pjesë e traditës së kësaj lëvizjeje.
“Nuk e bën, sepse përdorimi i mjeteve normale në politikë dhe demokraci nuk është në traditën politike të saj. Ndërkohë, aferat në fushën e energjisë nuk kanë të ndalur, çmimet rriten çdo ditë, e ne në Kuvend po merremi me ulëse dhe me emra të përveçëm. Turp,” ka shtuar Çitaku.