Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar pas shpërndarjes së parlamentit, pasi nuk u arrit të zgjidhej presidenti i vendit.
Sipas saj, presioni publik dhe qytetar e detyruan kreun e qeverisë, Albin Kurti, që të tërhiqej nga përpjekja për ta zgjedhur të parin e shtetit.
“Po, edhe mbrëmë bëri aq sa mundi. Doli dhe abuzoi me zyrën e Presidentit. Albin, nga ajo sallë qytetarëve u drejtohet Presidentja apo Presidenti i zgjedhur, jo Kryeministri dhe as kandidatja e shumicës”, ka shkruar deputetja.
Ndër të tjera, Çitaku në Facebook thotë se gjithçka që ndodhi mbrëmë ishte një shfaqje e turpshme.
“Shfaqja e mbrëmshme e ilustroi qartë, me zë dhe figurë, se ju në fakt e shihni veten si autoritetin e vetëm në këtë vend: edhe President, edhe Kryeministër, edhe Ministër, edhe Kryeprokuror, edhe gjithçka tjetër”, përfundon postimi.