×
  • Lajme
  • Insajderi

    Çka do të thotë “non-paper” – sqaron profesori universitar, kërkon nga Qeveria reagim të fuqishëm

    Insajderi
    27 April 2021 - 16:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-ambasadori kosovar dhe profesori, Muhamet Hamiti ka sqaruar se çka është dokumenti i ashtuquajtur “non-paper”.

    Hamiti në një prononcim për Gazetën Insajderi ka treguar se në gjuhën diplomatike “non-paper” është një parashtresë jo me para shenja zyrtare e përgatitur me shkrim.

    “‘Non-paper’ në gjuhën diplomatike është një parashtresë me shkrim, në letër të thjeshtë, jo me parashenja zyrtare, pa adresë të themi, që dëfton qëndrim për një çështje. Kjo mund të ndodhë edhe kur një qeveri apo instancë shtetërore dëfton një qëndrim në rrafsh joformal, a e trajtuar si punë zyrtare”, ka thënë Hamiti për Insajderin.

    Hamiti ka thënë se: “Siç mund të shihet non-paper-i pretenduar franko-gjerman mban thjesht titullin “Non-paper”.

    Tutje, ish-ambasadori Hamiti thotë se kushdo që e ka publikuar këtë “non-paper” këtë nënkuptohet se është e porositur nga Beogradi.

    “Kushdo që ka porositur dhe qarkulluar këto parashtresa qëllimin e ka pasur të njëjtë: të damkosë Kosovën në vigjilie të vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi për normalizim të marrëdhënieve dhe njohje të ndërsjellët të të dyja vendeve. Janë sheshazi pro-serbe, gjë që lë të kuptohet se janë porositur nga Beogradi”, ka thënë Hamiti.

    Për këtë, “non-paper” që është publikuar gjatë ditës, thuhet se është përgatitur nga Gjermania dhe Franca, mirëpo të dyja këto vende e mohuan duke thënë se nuk qëndrojnë pas tij dhe se është një “Lajm i rremë”.

    Ndërsa, profesori Hamiti thotë se duket se ekziston, mirëpo që duhet të dihet origjina e tij.

    ‘Non-paper’-i që u qarkullua gjerësisht në media mëton të jetë ‘iniciativë e përbashkët” (sic) gjermano-franceze për rinisje të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U mohua fuqishëm nga ambasadat e Francës dhe të Gjermanisë në Kosovë.  Një non-paper i tillë duket që ekziston. Por i kujt është dhe pse është bërë kështu?

    Për këtë “non-paper” nuk ka reaguar Qeveria e Kosovës, derisa Hamiti ka thënë se reagimi i institucioneve duhet të jetë i fuqishëm ndaj këtij dokumenti.

    “Reagimi nga Kosova duhej të ishte i fuqishëm për të hedhur poshtë si këtë non-paper ashtu edhe më të hershmin, atë sllovenin, që po ashtu u mohua nga Lublana zyrtare, ndonëse me një vonesë. Duhet hedhur poshtë sepse ato s’bën të marrin jehonë as në këtë mënyrë, qoftë edhe si balona provues të kundërshtarëve të Kosovës së pavarur e sovrane”, ka thënë Hamiti për Insajderin.

    Qeveria e Kosovës është duke heshtur rreth “Non-paperit” ku po parashikohet ndarja e Kosovës. Kjo letër për të cilën po raportohet se është përgatitur nga Gjermania dhe Franca, kërkohet që veriu i vendit të jetë një Rajon Autonom.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar të dijë se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, a e ka pranuar ajo një dokument të tillë dhe si e komenton këtë, mirëpo deri më tani nuk redaksia nuk ka marr ndonjë përgjigje.

    Ky Non-Paper paraqet një nismë të përbashkët gjermano-franceze për të rinisur Dialogun për Normalizimin e Marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës nën lehtësimin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Z. Josep Borell, dhe Z. Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, me mbështetjen e Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

    Po ashtu në këtë letër, theksohet se veriu i vendit duhet të jetë një Rajon Autonom dhe theksohet krijimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe.

    Në letër theksohet që palët do të duhej të pajtoheshin edhe për vendosjen e një “distrikti autonom të Kosovës veriore” si një “njësi e veçante administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë, e cila do të kishte të drejtë të rregullonte legjislacionin në baza rajonale në fushat e ekonomisë, financave, pronësisë së infrastrukturës, kulturës, arsimit, kujdesit shëndetësor, mbrojtjes sociale, gjyqësorit, shërbimit policor, zhvillimit urban dhe bashkëpunimit evropian, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisjen lokale”. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark