Një person ka humbur jetën të hënën në rrugën “Kalaja e Krujës” në Prizren, pasi ka rënë nga kulmi i shtëpisë së vëllait të tij ku po kryheshin punime ndërtimore. Siç ka mësuar Insajderi, viktima është Sabit Zogaj.
Lidhur me rastin, është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë punëkryesi i kontraktuar, B.M.
Sipas raportit të hetuesisë të cilin e ka siguruar Insajderi, fillimisht Urgjenca e Prizrenit ka pranuar informacionin për një person pa shenja jete në rrugën e lartpërmendur, ku mjeku kujdestar në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Një dëshmitar që ishte duke punuar në shtëpi ka deklaruar para policisë se e ka vërejtur viktimën, të rrëzuar në tokë dhe më pas ka njoftuar Urgjencën.
Dyshohet se viktima ka rënë nga një lartësi prej 8 deri në 9 metra nga kulmi i shtëpisë.
Pas pranimit të informatave të para, prokurori i shtetit ka ndryshuar kualifikimin e veprës penale nga “hetim i vdekjes” në “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” (Neni 358 i Kodit Penal).
Me urdhër të prokurorit, punëkryesi B.M është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë.
Njësia e forenzikës ka fotografuar vendin e ngjarjes dhe ka siguruar video-incizime që mund të kenë relevancë për procedimin e rastit. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për ekzaminim mjekoligjor në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Lidhur me masat e mëtutjeshme ndaj të dyshuarit, Insajderi ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë Themelore në Prizren, por të njëjtit deri tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Rasti vazhdon të mbetet nën hetime.