
Më 30 korrik të këtij viti, gazeta prestigjoze amerikane New York Times raportoi se diplomatët amerikanë janë në negociata me Kosovën për akomodimin e një grupi të shtetasve afganë të cilët gjatë luftës 20-vjeçare në Afganistan kanë punuar në bazat ushtarake amerikane.
Sipas këtij artikulli të NYT, Administrata Biden, gjatë muajit korrik veçse kishte nisur nisur zhvendosjen në ShBA të mijëra afganëve të cilëve u ka premtuar status të refugjatit.
Grupi i parë i afganëve të cilëve administrata Biden u ka premtuar strehim për ndihmën që u kanë ofruar Shteteve të Bashkuara gjatë luftës 20-vjeçare në Afganistan, kishte zbarkuar në tokën amerikane në fund të muajit korrik.
Rreth 250 përkthyes afganë, shoferë dhe punonjës të tjerë që punuan me ushtrinë amerikane, si dhe anëtarët e familjeve të tyre, kishin arritur në Aeroportin Ndërkombëtar Dulles, në periferi të Uashingtonit, pas një udhëtimi 30-orësh me avion nga Kabuli, kishin thënë zyrtarë të qeverisë amerikane për New York Times, përcjell Gazeta Insajderi.
Nga Dulles, ata ishin transportuar me autobus në Fort Lee, bazën ushtarake në Virxhinia, ku do të akomodoheshin për rreth një javë para se të vendoseshin në Shtetet e Bashkuara përgjithmonë, kanë thënë zyrtarët e qeverisë amerikane.
Edhe rreth 4 mijë afganë të tjerë që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan por që procedurat e tyre të vizave kanë nevojë edhe për disa aprovime të tjera, pritet të vendosen përkohësisht në shtete të tjera javët e ardhshme, para se të nisen për në ShBA, shkruhej në artikullin e New York Times, të publikuar më 30 korrik.
Shtetet e Bashkuara po negociojnë me Katarin dhe Kuvajtin për të strehuar mijëra Afganë në bazat ushtarake në ato vende për disa muaj derisa ata të kryejnë të gjitha procedurat me viza udhëtimi për në Shtetet e Bashkuara.
Siç raportonte New York Times, bazuar në një deklarim në kushte anonimiteti të një zyrtari të qeverisë amerikane, diplomatët po negociojnë për aranzhime të ngjashme edhe me qeveritë e Kosovës dhe Kazakistanit.
Grupet e afganëve do të udhëtojnë me aeroplan drejt ShBA-ve afërsisht çdo tre ditë dhe do të transportohen në një bazë të ushtrisë amerikane në Jug të Uashingtonit, para se të vendosen përfundimisht në ShBA.
Shumë nga punonjësit afganë, të cilët mbërritën në ShBA të premten, kanë qenë prej kohësh objektiva të talebanëve për bashkëpunimin e tyre me trupat amerikane gjatë luftës.
Pajisja e tyre me viza qëndrimi në ShBA u mundësua bazuar në programe speciale të vizave të hartuara nga Kongresi amerikan. /Insajderi.org