×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Çka thuhet në vendimin e Qeverisë për “Brigadën e Veriut” dhe “Mbrojtjen Civile”

    Insajderi
    30 June 2023 - 15:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Kërcënim për kryerjen e veprave terroriste”, çka thuhet në vendimin e Qeverisë për “Brigadën e Veriut” dhe “Mbrojtjen Civile”.

    Qeveria e Kosovës i ka shpallur në mbledhjen e djeshme si organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” apo e njohur si “ Civilna zastita” dhe “Brigadën e Veriut” apo e njohur si “Severna brigada”.

    Sipas vendimit që tashmë është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë, këto organizata përbëjnë rrezik dhe kërcënim për sigurinë, rendin kushtetues si dhe paraqesin kërcënim terrorist apo kërcënim për kryerjen e veprave terroriste në territorin e Republikës së Kosovës.

    “Obligohen institucionet relevante të rendit dhe sigurisë dhe institucionet e tjera që në pajtim me legjislacionin në fuqi si dhe praktikat ndërkombëtare të ndërmarrin veprimet dhe masat e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi”, thuhet në këtë vendim.

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Uashingtonin sa i përket shpalljes së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut” organizata terroriste.

    “Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të shpallur këto grupe si organizata terroriste nuk ka qenë i koordinuar me SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës. Ne sërish i bëjmë thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm përderisa ne po punojmë me të gjitha palët për të zgjidhur krizën aktuale”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

    Edhe nga Amabasada Gjermane theksuan se nuk janë infomruar e as konsultuar paraprakisht nga Qeveria e Kosovës poër vendimin e marrë.

    “Vendimi nuk është koordinuar as me Gjermaninë, madje as nuk është informuar qeveria gjermane nga autoritetet kosovare për këtë veprim paraprakisht”, ka thënë nga zyra për shtyp e Ambasadës gjermane.

    Sikurse DASh, edhe gjermanët e quajtën këtë vendim të njëanshëm.

    “Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”, ka theksuar Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë për KlanKosova.

    Se Qeveria e Kosovës nuk është konsultuar me aleatët ndërkombëtarë për shpalljen e “Mbrojtjes Civile” dhe Brigadës së Veriut” organizata terroriste, e tha sot edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

    “Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e konsultuar [për vendimin]”, tha një zëdhënës i Ambasadës për Paparacin.

    “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” u shpallën organizata terroriste të enjten e 29 qershorit, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

    Kryeministri Albin Kurti tha se këto dy organizata paraqesin kërcënim serioz për sigurinë e vendit.

    “Bazuar në vlerësimet institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës formacionet civile mbrojtjen Civile” (Civilna Zashtita) dhe komponenta e saj “Brigadën e Veriut” (Severna Brigada), paraqesin kërcenim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikë së Kosovës”, ka thënë Kurti.

    Kurti tregoi arsyet që çuan deri në vendimin për shpalljen terroriste të këtyre dy organizatave.

    “Duke u nisur që kërcënimi ndaj rendit kushtetues e juridik është i pakompromis, e duke pasur për qëllim mbrojtjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim nga veprimet me elemente terroriste, duke përfshirë por duke mos u kufizuar në sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, sulmeve ndaj qytetarëve e kundërshtarëve politikë, thirrjeve për rezistencë dhe mosbindje, shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, edhe përmes zjarrëvënies së pronës publike e private, pengimi i lëvizjes së lirë, detyrimi i qytetarëve për pjesëmarrje në protesta, barrikada dhe forma të tjera të rezistencës, organizimi dhe pengimi i zbatimit të vendimeve të institucioneve të vendit, rekrutimi dhe trajnimi i pjesëtarëve për përdorimin e armëve dhe metodave luftarake në baza ushtarake në Serbi, me qëllim kryerjen e sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, kanosja dhe frikësimi i qytetarëve në veri të vendit, subjekteve politike e kandidatëve me qëllim tërheqjen nga procesi zgjedhor dhe parandalimin e pjesëmarrjes në zgjedhje, ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’, shpallen organizata terroriste në Republikën e Kosovës”, është shprehur Kurti.

    Ndërkaq, ministri Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë duke punuar për t’i identifikuar dhe reaguar kundër kërcënimeve ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Ai deklaroi se këto dy grupe ka vite që janë toleruar.

    Sveçla bëri të ditur se janë në fazën e identifikimit të personave që kanë shkaktuar vepra penale në veri.

    “Në kuadër të mandateve përkatëse, institucionet relevante kanë identifikuar disa grupe terroriste që janë duke kryer veprime të drejtpërdrejta terroriste ndaj Kosovës. Këto grupe ndër vite janë toleruar. Për më shumë se 2 vjet, vendimet tona të ligjshme janë sfiduar me barrikada, sulme të armatosura ndaj pjesëtarëve të Policisë, sulme ndaj objekteve shtetërore, sulme ndaj kundërshtarëve politikë, sulme ndaj gazetarëve dhe të ngjashme. MPB-ja është angazhuar në identifikimin e këtyre personave që kanë shkaktuar vepra penale”, ka thënë ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark