Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka sqaruar deklaratën e saj të bërë së fundi, ku u shpreh se për pesë vjet janë çmontuar “900 banda kriminale”, shkruan Insajderi.
Ajo tha se deklarata ka qenë një gabim i paqëllimshëm dhe se në fakt bëhej fjalë për numrin e rasteve kriminale në të cilat kanë qenë të përfshira bandat serbe në veri të vendit.
Osmani tha se korrigjimi është bërë menjëherë: “Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve”.
Ajo deklaroi se bandat serbe janë përfshirë në qindra raste kriminale, duke filluar nga keqpërdorimi i votave e deri te dhuna ndaj qytetarëve.
“Bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si dhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm 93 raste i kemi të evidentuara ndaj ushtarëve të KFOR-it”, u shpreh ajo.
Presidentja tha se deklarata e saj nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare, pasi korrigjimi është bërë zyrtarisht dhe në kohë:
“Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm në intervistë dhe as Politico nuk e ka përdorur atë pjesë. Ajo deklaratë nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”.