×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    “Covana”, “Europa”, “Villa Green”, “Shpati”, këto janë motelet nën hetim për dhunimin e 11 vjeçares

    Insajderi
    11 February 2023 - 11:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Vajza e mitur e moshës 11-vjeçare në Prishtinë gjatë ditëve të muajit qershor ka përjetuar tmerrin, duke u keqpërdorur seksualisht nga tetë persona. Ndaj këtyre të fundit tashmë është ngritur aktakuzë dhe ata akuzohen për disa vepra penale.

    Sinjali ka siguruar ekskluzivisht aktakuzën e ngritur kundër  Driton Rrahmani, Gëzim Sadiku, Blendin Sadiku, Behlul Rrahmani, Egzon Sadiku, Muhamet RestelicaFlamur Sadiku dhe Muhamet Sadiku, të cilët dyshohet se qershorin e vitit të shkuar kanë endur dorë më dorë të miturën, duke e dhunuar seksualisht, ani pse ajo kishte vetëm 11 vjet.

    Të gjitha këto akte të tmerrshme dyshohet se i kanë kryer në disa motele në komunën e Obiliqit.

    Mediumi mëson se bëhet fjalë për motel ‘Covana’ në  Milloshevë, motel ‘Europa’ në Shkabaj, ‘Villa Green’ dhe motel ‘Shpati’ në Shkabaj.

    Ky është një tjetër dështim i shtetit, pasi që motelet që frekuentohen për pushim dhe fjetje, e të cilat në shumë raste janë strehë e përdhunimeve dhe keqpërdorimeve seksuale, nuk mbikëçyren as kontrollohen nga askush.

    Prandaj funksionimi në një mënyrë të tillë, ku asnjë prej punonjësve të këtyre bizneseve nuk e pyet klientin për moshën që ka, është një indikator që veprat e tilla të tmerrshme të përsëriten.

    Por si dyshohet që kishte filluar e gjithë ngjarja? Sinjali iu sjellë më poshtë të gjitha detajet ekskluzive nga dëshmia e vajzës së mitur

    Vajza e mitur e klasës së gjashtë kishte filluar që të ketë qasje në të gjitha rrjetet sociale. Nëpërmjet këtyre platformave, në moshën 10-vjeçare ajo kishte filluar komunikimin me persona të ndryshëm të moshave madhore 20-25 vjeçarë. Pos bisedave me ta, e mitura kishte aranzhuar takime me këta persona, të cilët edhe pse dinin moshën e saj të vogël dhe se kishin të bënin me një fëmijë që nuk është në gjendje të japë pëlqimin e saj për krijimin e një raporti intim, nuk kanë hezituar që të shfryejnë epshin e tyre seksual.

    I pari që dyshohet të ketë filluar keqpërdorimin me vajzën e mitur, është Behlul Rrahmani, 32-vjeçar, i cili ndodhet në paraburgim që nga 13 shtatori i vitit të shkuar.

    Rrahmani dhe vajza e mitur takimet i aranzhonin te Pallati i Rinisë në Prishtinë, për të vazhduar më pas në motele, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale disa herë.

    Pas Behlulit, një tjetër person kishte tentuar që ta dhunojë të miturën, mirëpo e njëjta ka refuzuar që të ketë kontakt intim me të. Bazuar në dëshminë e viktimës të cilën e ka siguruar ekskluzivisht Sinjali, takimet kanë vazhduar me të dyshuarin tjetër, Driton Rrahmani.

    Ditën e 21 qershorit të vitit 2022, Dritoni ishte takuar me të miturën të cilën më pas e ka dërguar në motelin ‘Covana’ në Milloshevë, ku pasi ka kryer aktin seksual me të, u ka aranzhuar ‘dostave’ të tij takime me të njëjtin qëllim, që ta keqpërdorin seksualisht 11-vjeçaren.

    Sipas aktakuzës, Blendini ka shkuar në Milloshevë dhe më pas e ka marrë vajzën me veturë dhe kanë shkuar në motelin ‘Villa Green’, ku po ashtu kanë kryer marrëdhënie seksuale. Pas Blendinit, është paraqitur kushëriri i tij Gëzimi, i cili e ka marrë vajzën dhe janë nisur në drejtim të motel ‘Europa’ në Obiliq.

    Në motel ‘Europa’ dyshohet se e dërgoi edhe i dyshuari tjetër, Muhamet Sadiku, i cili ishte njoftuar me të miturën përmes të dyshuarit, Egzon Sadiku.

    I dyshuari tjetër, Muhamet Restelica, që arriti të takohej me të miturën nëpërmjet Flamur Sadikut, në orët e vona të 21 qershorit e ka marrë me veturën e tij dhe më pas kanë shkuar në motelin ‘Shpati’ në Shkabaj, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale.

    Vlenë të ceket që identifikimi i të dyshuarve është bërë nga vetë e mitura, e cila ndonëse nuk i njihte me emra dhe mbiemra, por vetëm me nofka, ka arritur që përmes përshkrimit të dukjes fizike t’i vë në prangat të dyshuarit për keqpërdorimin seksual ndaj saj.

    Çfarë kanë deklaruar të dyshuarit lidhur me rastin?

    Behlul Rrahamani ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.

    Të dyshuarit gjatë fjalës së tyre kanë deklaruar se nuk e njohin viktimën dhe se në bazë të pamjes së saj, nuk kanë mundur ta hetojnë që është më e vogël se 18 vjet.

    Driton Rrahmani ka deklaruar se e ka njohur të miturën në festivalin ‘Beer Fest’ dhe numrin e saj kontaktues e ka marrë nga shoku i tij, Egzoni, i cili i kishte garantuar se ajo do të pranojë që të dalë me të.

    Sipas tij, e mitura e kishte njoftuar se i ka vetëm 11 vjet, por që në bazë të konstruktit trupor, ai ka besuar se vajza mund t’i ketë 18 vjet.

    Gëzim Sadiku ka deklaruar se vajzën në fjalë nuk e njeh, por atë e ka takuar përmes Dritonit, i cili e kishte thirrur dhe i kishte thënë të shkojë e ta marrë. Sipas të dyshuarit, me të miturën kanë kryer marrëdhënie seksuale, teksa ka shtuar që nuk e ka ditur për moshën e saj, por që i është dukur ‘e zhvilluar’ dhe se mund t’i ketë 16-17 vjet.

    Bazuar në dëshminë e Flamur Sadikut, ai me të miturën është njohur përmes rrjetit social Instagram e që më pas kanë shkëmbyer numrat e kontaktit dhe kanë vazhduar komunikimin në Viber, ku kanë shkëmbyer fotografi me dëshirën e të dyve. Ai ka deklaruar se më pas gjatë ditës janë takuar, por që nuk ka përdorur asnjëherë forcë ndaj saj dhe se sipas tij, gjithçka ka qenë me pëlqimin e të dyja palëve. Që aty ata kanë shkuar në motelin ‘Covana’ në Milloshevë, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale. I njëjti deklaron se nuk e ka ditur për moshën e viktimës, duke thënë se i është dukur më e madhe dhe sipas tij, viktima i kishtë thënë që është 18-vjeçare dhe që “dal çdo natë me 2-3 persona dhe kryej marrëdhënie seksuale me 2-3 persona”. Flamuri ka deklaruar se pasi kanë kryer aktin seksual në motel, viktimën e ka lënë në Milloshevë dhe që atëherë nuk ka pasur më kontakt me të.

    Muhamet Sadiku ka thënë para organeve të hetuesisë se të miturën e ka njohur përmes djalit të axhës së tij, Egzonit, i cili edhe ia ka siguruar numrin e kontaktit. Sipas tij, ai e ka shfrytëzuar telefonin e Egzonit për të folur me të miturën, pasi që nuk kishte mundësi që këtë gjë ta bënte nga telefoni i tij personal. Me viktimën është takuar gjatë ditës te Pallati i Rinisë dhe që aty kanë shkuar në motel ‘Europa’, ku edhe kanë kryer marrëdhënie seksuale. Krejt kjo pasi që sipas tij, viktima i kishte thënë se është e moshës madhore.

    Sipas Blendin Sadikut, me vajzën ka rënë në kontakt përmes shokut të tij,  Driton Rrahmani dhe i njëjti nuk i ka kërkuar para në këmbim të njohjes. Me të miturën deklaron se ka shkuar në Fushë Kosovë, ku kanë kryer marrëdhënie seksuale. Sipas tij, as vajzës nuk i ka dhënë para pas përfundimit të aktit, mirëpo ia ka dhënë pesë euro për të ngrënë bukë. Ai ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për moshën e vajzës dhe të njëjtën më pas e ka lënë në Prishtinë.

    Egzon Sadiku akuzohet se ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale ‘Dhunimi’. Bazuar në dëshminë e tiij, ai nuk e njeh vajzën në fjalë, mirëpo numrin e saj e ka marrë nga një djalë i fshatit Babimoc. Sipas tij, pasi i ka shkruar njëherë, e mitura e ka pyetur nëse dëshirojnë të dalin, mirëpo Egzoni thotë se ka refuzuar. Ai thotë se derisa po punonte me Driton Rrahmanin, ky i fundit ia ka shfrytëzuar telefonin ku ka komunikuar me viktimën. Pasi Dritoni është kthyer nga takimi me të miturën, i njëjti dyshohet se i ka propozuar Muhamet Sadikut që të dalë me të dhe ai ka pranuar. Kah mbrëmja, sipas Egzonit, Dritoni e ka lutur që të shkojë me të në Prishtinë dhe pasi kishte pranuar ta shoqërojë, kishte parë se në veturë ishte edhe një vajzë e që sipas tij, dukej e re në moshë (bëhet fjalë për viktimën). Ai ka deklaruar se Dritoni e ka dërguar vajzën me veturë deri te rrethi i Mazgitit dhe vajza që aty ka dalë me dëshirë me të dyshuarin tjetër, Gëzimin (të cilin e ka kushëri). Ai ka thënë se vajzën e ka takuar vetëm njëherë dhe nuk ka pasur asnjëherë kontakt intim me të. Sipas tij, I pari që e ka takuar ka qenë Dritoni, pastaj Muhameti, Blendini dhe i fundit vëllai i tij, Flamuri.

    Tetë personat e akuzuar në këtë aktakuzë janë pjesa e dytë e dosjes së Prokurorisë për dhunimin e 11-vjeçares që tronditi gjithë vendin, pasi që rasti i saj është hetuar në dy raste të cilat janë trajtuar ndaras. Njëri rast dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor.

    Ndërkaq, lidhur me rastin janë shkarkuar edhe dy drejtorë të Policisë.

    Nga pozita e drejtorit të Policisë rajonale të Prishtinës është larguar Fahredin Verbovci ndërkaq, Shkëlzen Xhafa nga ajo e Shefit të Operativës për kryeqytet.

    Ndërsa, për shkarkimet e tyre, njoftimi u bë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe pse shkarkimet bëhen nga menaxhmenti i Policisë.

    Kreu i Qeverisë ka thënë se përgjegjësi duhet të mbajnë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK).

    Po ashtu, dorëheqje nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës pati dhënë Samedin Mehmeti.

    Ndërsa, për të dyja rastet të dyshuar janë 13 persona, tashmë të gjithë të arrestuar.

    Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark