Shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq ka deklaruar se “funksioni i presidentit të Kuvendit të Serbisë, të cilin po e merr, është funksioni më i lart dhe se vetëm “të padijshmit dhe dashakeqët” mund të thonë se ky është degradim për mua”.
Ai ka thënë se “nuk e ka me rëndësi të jetë në qeverinë ekzekutive”, sepse është “politikan shtet ndërtues”.
“Nuk më interesojnë funksionet, i kam kaluar të gjitha”, ka thënë Daçiq.
Ai ka thënë se nuk ka biseduar me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq për atë se sa ministra do t’i ketë Partia Socialiste e Serbisë në qeverinë serbe, dhe se ende për këtë nuk është vendosur.
Daçiq gjithashtu ka thënë se seanca e mbrëmshme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën ishte “shumë e mundimshme”, por është me rëndësi se Kosova edhe më tutje është temë në këto seanca. “Do të mbetet në histori se gjatë mandatit tim 19 vende kanë tërhequr njohjet e pavarësisë së Kosovës”, është lavdëruar Daçiq, duke folur për “sukseset” e tij derisa ishte ministër i jashtëm i Serbisë./Insajderi.org.