Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë se futja e teknologjisë në sistemin e votimit në Kosovë do të ndihmonte shumë këtë institucion që të shmangë parregullsitë.
“Futja e teknologjisë në procesin e votimit, do të na ndihmonte në numërim dhe shpallje të shpejtë të rezultatit të zgjedhjeve”, pohoi Daka.
Në takimin ku u diskutua për reformën zgjedhore, Daka tha se KQZ-ja më shumë merret me aspektet teknike të procesit dhe jo ato politike, porse do të punojë shumë për të adoptuar ndryshimet që vijnë nga reformat.
“Kemi vërejtur shumë mangësi dhe të meta të ligjit në terren në aspektin teknik. Por, do të jemi të gatshëm që të japim kontribut në reformën zgjedhore. Nga aspekti teknik do ta japim kontributin tonë për të gjitha çështjet”, tha ajo.
Daka ka përmendur edhe disa probleme si “thjeshtimi i votimit nga diaspora, pastaj gjetja e mekanizmave për pastrimin e listave dhe heqja e votës me kusht që ka krijuar vazhdimisht probleme”.
“Shpresoj se reforma të kryhet në afat optimal, sepse pastaj KQZ-ja ka shumë obligime të cilat duhet të përgatit në afate shumë të shpejta”tha ndër të tjera kryetarja e KQZ-së.