Gazeta Insajderi raportoi për aksionin e madh të sotëm të realizuar kundër kontrabandës në kufirin Kosovë-Shqipëri.
Insajderi ka mësuar se deri tani janë arrestuar rreth 50 persona, në mesin e tyre dy doganier dhe të tjerët zyrtarë policorë.
Ndërkohë, detajet e aksionit për Insajderin i ka konfirmuar edhe vet kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
“Do të arrestohen një numër i madh i zyrtarëve policor. Ka edhe doganier të përfshirë. Aksioni sapo ka filluar. Bëhet fjale për dy pika kufitare”, ka thënë Isufaj për Insajderin.
Sipas informacioneve të para Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht punonjësit nga të gjitha Departamentet operative të saj në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale kanë filluar sot në orët e hershme të mëngjesit një operacion të gjerë në kuadër të autorizimeve dhe fushëveprimit ligjor të IPK-së.
Operacionit të sotshëm i ka paraprirë një hetim rreth një vjeçar me dyshimin për përfshirje në aktivitete të kundërligjshme të një numri të zyrtarëve policorë lidhur me veprat penale “marrje e ryshfetit” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ky hetim është duke u zhvilluar në koordinim të plotë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) duke përfshirë edhe masa të fshehta të hetimit dhe bashkëpunim edhe me agjenci të tjera.
Pamje nga momenti i arrestimit të disa zyrtarëve: