Qeveria franceze dhe sindikatat kanë arritur në një rrugë qorre rreth një ligji të ri të punës, ndaj është koha që të protestohet sërish në rrugët e Parisit dhe politika është biseda e zakonshme ndërsa parisienët bëjnë pazar apo hanë drekën
Josiane Bertrand ka një biznes të vogël familjar, një dyqan lagjeje ku shet salsiçe, proshutë derri dhe produkte të tjera të ngjashme. Proshuta e saj, thotë ajo, është më e mira në Paris dhe radha e klientëve është e gjatë.
Pavarësisht shiut që nuk pushon jashtë – mes gjithë çudirave të tjera, si për shembull përmbytjet në Francë – turma që pret të marrë atë që kërkon bën biseda nga më të ndryshmet.
Nëse do t’u besonim faqeve të opinionit të “Le Monde”, mendimet e shprehura në radhën e sallamerisë janë reflektime shumë të sakta të humorit të vendit. E ndarë, thuajse përgjysmë mes atyre që janë pro dhe kundër ligjit të punës.
Filipe është 28 vjeç. Ai ka atë që shumica e francezëve do ta quanin si punën e ëndrrave. Ai është një funksionar që punon në qeverinë lokale. Një funksionar është një punonjës i shtetit francez në thuajse çdo formë të administratës dhe shërbimit publik.
Është një punë e përjetshme – me një pagë të mirë dhe kushte të rregullta, orë fikse pune, një pension të mirë dhe pushime bujare. Pra, ajo që shumë të rinj francezë synojnë të bëjnë nuk është të ndryshojnë botën – të eksplorojnë, krijojnë, zhvillohen individualisht – por me vështirësi në vetëpunësim dhe taksat ndëshkuese, ata ëndërrojnë të bëhen burokratë të punësuar në mënyrë të vazhdueshme.
Filipe e di që është me fat. Dhe ai është kundër çdo ndryshimi. “Jam i lumtur, – thotë ai. -E di pikërisht se ku jam dhe ku do të jem në 40 vitet e ardhshme, me një pension të mirë”.
Eleonora, që ka katër fëmijë, dy prej të cilëve kërcejnë përreth dyqanit ndërsa presin, është në moshën 40-vjeçare. Si një mësuese e shkollës fillore, ajo ka gjithashtu një punë që i zgjat për të gjithë jetën dhe përfitime bujare nga shteti. Por, ndryshe nga Filipe, ajo është pro ndryshimit. “Nuk mund të vazhdojë kështu. Për çdo person si unë, ka 20 ose më shumë të tjerë që nuk kanë asnjë shpresë”, thotë ajo.
Çereku i të gjithë francezëve nën moshën 25 vjeç, shumë prej të cilëve të kualifikuar mirë, nuk kanë punë. Një numër i madh i tyre janë nga familje imigrante, gjë që i bën shanset e punësimit të tyre edhe më të pakta. Këta janë lloji i njerëzve që votuan për Francois Hollande gjatë garës presidenciale 2012, me shpresën e zotimit të tij për t’u dhënë fund telasheve të punësimit në vend.
Tani, ai ka bërë një premtim të ri, ta vërë karrierën e tij politike në vijë – ai nuk do të garojë për t’u rizgjedhur në pranverën e ardhshme nëse nuk e ul papunësinë. Një lëvizje e guximshme për një president që i ka përqindjet e pëlqyeshmërisë vetëm 14 për qind, në një vend ku gëlojnë mosmarrëveshjet industriale.
Bashkë me kryeministrin e tij, Manuel Valls dhe Pierre Gattaz – i njohur si shefi i shefave, presidenti i Medef, federatës më të madhe të punëtorëve në Francë, Hollande ka dalë kundër fuqisë së kombinuar të dy prej sindikatave më të madhe të vendit.
Ligji i Punës që është propozuar përbëhet nga 500 faqe. Ai synon të thjeshtojë dhe të liberalizojë Kodin Francez të Punës, i cili në 3689 faqe është një labirint rreziqesh për punëdhënësit.
Sindikatat nuk i marrin parasysh negociatat derisa ligji të hiqet nga Parlamenti. Presidenti dhe aleatët e tij refuzojnë të ndryshojnë qoftë edhe një fjalë të tij. “Është një ligj shumë i mirë për Francën”, thotë Hollande. Rezultati? Rrugë qorre. Një betejë që sa vjen dhe po shkon drejt përkeqësimit.
Menjëherë pas orës një, bulevardi Montparnasse dhe gjithçka tjetër përfshihet nga qetësia. Trafiku në rrugë zhduket. Kordonët e forcave speciale të policisë lëvizin përpara, tre makina të blinduara të policisë qëndrojnë në pritje dhe një helikopter qarkullon lart, shkruan gazeta-shqip.
Në distancë vërehet një grup i zemëruar protestuesish. Zhurma sa vjen edhe shtohet. Policia speciale merr pozicionet. Në tarracën e një restoranti të famshëm në bulevardin Montparnasse, Frederique, kamerieri, mbyll përkohësisht dyert dhe ata që po hanë drekë e gjejnë veten në një ekspozim transparent të ushqimit dhe revoltës.
Duke parë nga larg, arrin të dallosh qindra protestues që kalojnë në bulevard, disa prej të cilëve marshojnë, të tjerë kërcejnë dhe të tjerë që ecin shtruar. Duke parë nga brenda restorantit, ata që po drekojnë, komentojnë për protestuesit.
Komentet e tyre variojnë nga “ja ku nisi sërish” dhe “kur do të marrë fund kjo” dhe te komentet e krenarisë “ne francezët i dashurojmë protestat”.
Më pas, gjithçka zhduket, zhurma, marshuesit dhe pankartat e tyre lënë vetëm një gjurmë të vogël plehrash. Frederique e hap derën. Biseda largohet nga politikja dhe i kthehet personales.
Reforma të ngjashme janë ndërmarrë aktualisht në Itali dhe Spanjë. Gjermania e ka bërë kohë më parë dhe papunësia e saj në 5 për qind është më pak se gjysma e Francës, që sipas disa komentuesve tani qëndron si bastioni i fundit i socializmit të stilit të shekullit 20 në Europë.