×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    “Dasmë” në Telekom- tash merr pozitë të lartë mikesha e vëllait të kryeshefes ekzekutive të VV-së

    Insajderi
    09 August 2023 - 16:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Violeta Namani, mikesha e vëllait të kryeshefes ekzekutive të Telekomit, Burim Hana, është avancuar në pozitën e Menaxherit të Departamentit për Shitje dhe Kujdes me Konsumator Individual. Duket se afërsia me vëllain e Burbuqe Hanës ia ka ndihmuar Namanit që ta arrijë këtë pozitë. Ajo ka avancuar në këtë pozitë nga Departamenti Teknik dhe nuk ka qenë pjesë e shitjeve që 13 vite. Gazeta Insajderi iu sjell detaje…

    Insajderi nëpërmjet burimeve ka mësuar se Namani është avancuar në këtë pozitë, duke lënë jashtë Kreshnik Domin, të përzgjedhurin për kryeshef nga ambasada britanike vitin e kaluar, i cili ka qenë drejtor i shitjeve për tri vitet e fundit.

    Përveç Kreshnik Domit, komisioni ka anashkaluar edhe Apollonia Ramadani, e cila ka qenë zëvendës-drejtoreshë e shitjes tri vitet e fundit si dhe mbi 17 vite eksperiencë në shitje.

    Mediumi ka dërguar në pyetje në adresë të Telekomit të Kosovës për të marrë një koment nga ndërmarrja publike, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje.

    Insajderi ka kontaktuar edhe me Namanin për ta pyetur për avancimin e saj në këtë pozitë, mirëpo e njëjta s’ka pranuar të flasë, duke vlerësuar se këto janë informacione të brendshme të ndërmarrjes publike.

    Insajderi ka arritur ta konfirmojë afërsinë e Namanit me Burim Hanën, vëllain e kryeshefes ekzekutive, nëpërmjet një fotografie të përbashkët.

    Sipas këtyre burimeve, përzgjedhja e Namanit në pozitën e menaxheres së shitjes është bërë nga Avni Talifaj, kryetar i komisionit përzgjedhës i caktuar nga VETË kryeshefja ekzekutive.

    Gazeta Insajderi raportoi javën e kaluar për emërimin e dy miqve të kryeshefes ekzekutive. Ekrem Cervadiku, pa eksperiencë menaxheriale, u avancua në pozitën e menaxherit kryesor të Departamentit të Burimeve Njerëzore në ndërmarrjen publike Telekomi i Kosovës ndërkaq Pranvera Shala, po ashtu pa përvojë menaxheriale, u avancua në pozitën e menaxheres në Departamentin e Marketingut.

    Insajderi gjithashtu pati raportuar se për pozitën “Menaxher – Analiza, Strategjia e Marketingut dhe Planifikimit” në Telekom kishte aplikuar vëllai i kryeshefes, Burim Hana.

    Për këtë pozitë, nga Telekomi i thanë mediumit thënë se ende nuk ka përfunduar konkursi pasi që ende nuk janë ftuar kandidatët për intervistim.

    “Konkursi për të cilin ju po interesoheni ende nuk është përmbyllur dhe në fakt ende nuk janë ftuar kandidatët për intervistë para komisionit përzgjedhës”, u tha në përgjigjen e Telekomit.

    Pas raportimeve të Insajderit për avancimin e vëllait të Burbuqe Hanës, komsioni e ka shtyer procesin dhe ende nuk ka vendosur për të. Aktualisht, mediumi mëson se është duke kryer intervista për pozita të tjera.

    Përkundër që britanikët e kishin kundërshtuar përzgjedhjen e Hanës në Telekomin e Kosovës, Bordi i Drejtorëve të kësaj ndërmarrje publike kishte vendosur me vendim unanim që ta vë në pozitën e kryeshefes.

    Kompania britanike e përzgjedhur si trupë profesionale për të bërë poentimin e kandidatëve e ka vlerësuar me më së shumti pikë një ish-anëtar të Partisë Demokratike të Kosovës. Kreshnik Domin. Ai para pesë viteve kishte qenë kandidat për asamblenë komunale të Prishtinës nga radhët e PDK’së.

    Më 24 prill 2020, Burbuqe Hana u emërua Ushtruese e Detyrës së Kryeshefës së Telekomit.

    Hana në këtë pozitë e zëvendësoi Bedri Istrefin, që u shkarkua nga kjo pozitë nga Bordi i emëruar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

    Kryeministri Kurti, përgjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare thoshte se familjarët dhe të afërmit janë për dasma, jo për punësime. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark