Triumfi i Spanjës në Kupën e Botës nuk ishte vetëm suksesi i një kombëtareje, por edhe i trajnerit Luis de la Fuente.
Pas fitores 1-0 ndaj Argjentinës në finalen e zhvilluar në New Jersey, tekniku spanjoll hyri në historinë e futbollit botëror si trajneri më i moshuar që ka fituar ndonjëherë një Kampionat Botëror.
De la Fuente e ngriti trofeun në moshën 65 vjeç e 29 ditë, duke thyer rekordin e mëparshëm që mbahej nga Vicente del Bosque, i cili e udhëhoqi Spanjën drejt titullit botëror në vitin 2010 në moshën 59-vjeçare.
Në vendin e tretë të kësaj liste historike renditet Marcello Lippi, i cili u shpall kampion bote me Italinë në vitin 2006, kur ishte 58 vjeç.
Pas një karriere të gjatë në drejtimin e kombëtareve të moshave të Spanjës, De la Fuente i shton CV-së së tij edhe një sukses madhor me triumfin në Kupën e Botës.
Një fakt interesant lidhet me marrëdhënien e tij me Lionel Scalonin. De la Fuente ka qenë pedagog i trajnerit argjentinas gjatë kursit për licencën e trajnerit në Spanjë.
Ndërkohë, rrjetet sociale u mbushën me komente dhe batuta pas këtij suksesi.
Shumë tifozë bënë shaka se De la Fuente e “theu mallkimin” e trajnerëve plotësisht tullacë, pasi deri më tani asnjë trajner pa flokë nuk kishte arritur ta fitonte Kupën e Botës.
Në anën tjetër të historisë qëndrojnë trajnerët më të rinj që kanë fituar Botërorin. Alberto Suppici e fitoi me Uruguain në vitin 1930 në moshën vetëm 31-vjeçare, Mário Zagallo triumfoi me Brazilin në vitin 1970 kur ishte 38 vjeç, ndërsa César Luis Menotti e udhëhoqi Argjentinën drejt titullit botëror në vitin 1978, në moshën 39-vjeçare.