Kthimi i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës pas bojkotit mbi 3 muaj, nuk ka kaluar pa replika. Kjo për faktin e një deklarimi të Shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Ai në një aderim para deputetëve të Kosovës tha se kanë vendosur të kthehen në Kuvend pas një periudhe të gjatë kohore për t’i mbrojtur interesat e tyre, edhe pse, siç tha ai, kushtet ende nuk janë plotësuar dhe vazhdojnë të jenë kundër Ligjit për Trepçën.
Ai tha se do të ‘luftojnë’ deri në fund për prioritetin e tyre, themelimin e Asociacionit të komunave serbe.
“Pas shumë kohe po na shihni në Kuvend dhe dua t’ua bëj me dije se fatkeqësisht nuk janë plotësuar kushtet. Na pranoni si partner dhe jo si vetëm anëtar të parlamentit. Ne do të luftojmë për të drejtat tona përmes institucioneve. Do të ju bëj me dije se jemi ende kundër Ligjit për Trepçën dhe Investimet”, ka thënë Simiq.
Por ajo që i zemërojë më së shumti deputetët e opozitës, ishte deklarimi i Simiqit, i cili tha se kthimi i tyre në Kuvend është bërë me rekomandimin e kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Teuta Haxhiu, e ka kundërshtuar gjuhën e përdorur nga deputeti Sllavko Simiq, shef i Grupit Parlamentar të Listës Serbe.
Gjatë fjalimit të saj në foltore, ajo i ka thënë Simiqit se ai është këtu për t’i mbrojtur interesat e serbëve në Kosovë dhe jo interesat e Vuçiqit në Serbi.
“Kush është Aleksandër Vuçiq këtu. Nuk mund të tolerohet kjo gjuhë. O mbroni interesat e serbëve këtu në Kosovës o shkoni konkurroni në Beograd për deputetë. Nëse jeni deputetë të interesave të qytetarëve serbë në Kosovë përfaqësoni ato interesa, e jo të Vuçiqit”, ka thënë Haxhiu.
Për Ligjin e Trepçës, Haxhiu ia ka bërë me dije Simiqit se ajo punë ka marrë fund dhe s’ka kthim mbrapa.
Po ashtu, deputetja Haxhiu ka reaguan edhe ndaj kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, nga i cili ka kërkuar që të mos lejojë shfrytëzimin të foltores për gjëra të tilla./Insajderi.com