Deklarimet e dobëta juridikisht të znj. Albulena Haxhiu dhe z. Blerim Sallahu - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Deklarimet e dobëta juridikisht të znj. Albulena Haxhiu dhe z. Blerim Sallahu

    Insajderi
    28 April 2025 - 16:57
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Ngadhnjim Makolli

    Është skandaloze që, si përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe të jetës parlamentare, nuk njihni ose shtrembëroni parimet më themelore të së drejtës. Ligji vepron në kohën e caktuar, pra nga momenti i hyrjes në fuqi dhe jo në të kaluarën. Postimi i znj. Albulena Haxhiu i referohet një rasti të vitit 2014, ndërkohë që Ligji Nr. 08/L-117 është miratuar shumë vite më vonë, në vitin 2022. A ishte ky ligj në fuqi në atë kohë? Jo. Dhe si Ministre e Drejtësisë, znj. Haxhiu, ishte detyrë e juaja ta dinit dhe ta respektonit këtë.

    Këto janë themelet e shtetit të së drejtës – dhe është detyra juaj, jo vetëm t’i njihni, por t’i mbroni me korrektësi. Nëse dështon kuptimi i një parimi kaq elementar, atëherë shtrohet pyetja: çfarë lloj drejtësie pretendoni të ndërtoni? Sepse drejtësia nuk ndërtohet mbi dezinformim dhe interpretime të shtrembëruara të ligjit.

    Në anën tjetër, në deklarimin e z. Blerim Sallahu, thuhet se përmes propozimit të znj. Albulena Haxhiu si kandidate për Kryetare të Kuvendit është përmbushur obligimi kushtetues i përcaktuar në nenin 67 paragrafi 2 të Kushtetutës, vërehet një interpretim i njëanshëm dhe juridikisht i mangët.

    Neni 67.2 e përcakton qartë se:
    “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.”

    Pra, Kushtetuta jo vetëm që kërkon propozimin nga grupi më i madh parlamentar, por gjithashtu kërkon edhe mbështetjen e shumicës së deputetëve (61 vota).
    Vetëm propozimi i një kandidati nuk mjafton për të krijuar të drejtën automatike për të udhëhequr Kuvendin. Sistemi ynë parlamentar kërkon konsensus minimal institucional për funksionimin e organeve kushtetuese. Në këtë rast, mungesa e mbështetjes së shumicës nuk përbën shkelje të Kushtetutës, por është pasojë e realitetit politik që kërkon dialog e jo ultimatume.

    Për më tepër, theksimi i numrit të votave personale të një kandidateje në zgjedhje është i parëndësishëm në kontekstin kushtetues. Kushtetuta nuk njeh “kandidatët më të votuar” si kriter për udhëheqje institucionale. Ajo njeh vetëm procedurat e përzgjedhjes dhe të miratimit nga Kuvendi.

    Shteti i së drejtës kërkon që çdo hap institucional të mbështetet në legalitet kushtetues, jo vetëm në legjitimitet politik ose në interpretime të njëanshme.

    Autori është avokat.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark