Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi është dënuar me 500 euro gjobë pasi është shpallur fajtore se ka deklaruar me vonesë pasurinë.
Aktgjykimi është shpallur më 5 dhjetor 2022 derisa aktakuza ishte ngritur më 15 qershor 2022.
Gjykata Themelore me rastin e dënimit me gjobë ndaj zëvendësministres Gashi ka shqiptuar urdhër ndëshkimor sipas kërkesë së Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Fillimisht, gjykata më 15 qershor të 2022 ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë aktakuzën ndaj Gashit për veprën penale “Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
E akuzuara Gashi në cilësinë e zëvendësministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporë edhe pse ka qenë e njoftuar përmes vendimit për emërim nga Kryeministri Kurti si dhe nga zyrtarja kontraktuese brenda ministrisë, e njëjta deklarimin e pasurisë e ka bërë me vonesë.
Gjykata me rastin e shqiptimit të dënimit me gjobë ka marrë parasysh shkallën e përgjegjësisë penale, intensitetin e rrezikimit apo dëmtimit të vlerës së mbrojtur.
Gjykata po ashtu ka sqaruar në vendimin e saj se dënimi i shqiptuar me gjobë prej 500 euro ndaj Gashit, është vendim meritor dhe vendim përmes të cilit do të parandalojë të akuzuarën Gashi që të kryejë vepra tjera penale në të ardhmen.
Ndaj këtij urdhri ndëshkimor sipas vendimit, të akuzuarës Gashit i lejohet e drejta që të paraqesë kundërshtim me shkrim ose me gojë në afat prej 8 ditësh.
Për mosdeklarim të pasurisë ishte dënuar edhe ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti Rozeta Hajdari me 700 euro gjobë me 29 dhjetor 2022./Betimi për Drejtësi/