Një draft-statut i publikuar këtyre ditëve nga ish-kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Burim Ramadani, ka ngjallur diskutime dhe dyshime se një propozim i tillë mund të vie nga Bashkimi Evropian.
Kjo nuk është pohuar dhe as mohuar nga Qeveria e Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, tha se si qeveri e kanë të pamundur të komentojnë mbi vërtetësinë e secilit dokument që publikohet.
“Javëve dhe ditëve të fundit kanë qarkulluar në publik tekste të ndryshme të cilat janë raportuar si drafte të propozimit evropiano-amerikan. Si ekzekutiv e kemi të pamundur që të komentojmë mbi vërtetësinë e secilit prej tyre. Megjithëse për sa na takon neve, drafti i propozuar nga Gjermania, Franca, Italia, BE dhe ShBA-ja tashmë do të duhej të ishte publik, ne do të respektojmë konfidencialitetin e tij sipas kërkesës së shteteve sponsorizuese:, tha zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu, për Klankosova.tv
Dokumentin në fjalë ka refuzuar ta komentojë edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, nuk e ka mohuar e as pohuar origjinalitetin e këtij dokumenti.