×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Deklarohet Gërvalla lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë: Jam tërësisht e pafajshme

    Insajderi
    07 March 2024 - 10:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njëkohësisht dhe zëvendëskryeministre, Donika Gërvalla, është deklaruar e pafajshme në lidhje me çështjen e akuzës për mosraportim të pasurisë, në shqyrtimin fillestar të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

    Ministrja Gërvalla, deklarimin rreth fajësisë e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokuroria Paulin Pashku.

    “Jam tërësisht e pafajshme”, tha Gërvalla.

    Gjykatësi i rastit Dibran Isufi e njoftoi atë dhe mbrojtësen e saj, Saranda Keqekolla-Sadiku, se mund të paraqesin në afat prej 30 ditësh kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

    Më 20 qershor 2023, Gjykata kishte caktuar mbajtjen e shqyrtimit fillestar, mirëpo seanca kishte dështuar pasi që ministrja nuk kishte angazhuar avokat.

    Rasti i ministres Gërvalla ishte caktuar tek gjykatësi Adnan Kamberi, gjykatës në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Penal, mirëpo për shkak të largimit të tij jashtë vendit, lënda tashmë do të gjykohet nga gjykatësi Dibran Isufi.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023 kishte konfirmuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.

    “Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

    Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, tha se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark