14:52 - 20 Janar 2022

Refuzimi për të bërë markimin e naftës është duke shkaktuar miliona euro humbje për taksapaguesit kosovare dhe është duke krijuar mundësi korruptimi të zyrtarëve qeveritarët prej multimilionerëve të naftës.

Kanë kaluar tre vjet nga publikimi i raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit që konstatoi se në Kosovë “cilësia e derivateve të naftës në tregun e brendshëm nuk është siguruar në nivelin e duhur”.

Ky raport i pati rekomanduar Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë që  “të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të siguruar cilësinë e derivateve të naftës, duke përmirësuar mangësitë e proceseve të akreditimit, autorizimit dhe kontrolleve” si dhe të rishikoj udhëzimin aktual administrativ për cilësinë e derivateve. 

Qeveria rishikoi udhëzimin administrativ në vitin 2020, ndër të tjera duke futur shënjimin molekular të karburanteve si metodë e monitorimit dhe kontrollit të cilësisë.

Ministrja e re e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) anuloi pjesërisht udhëzimin administrativ të vitit 2020, por jo nenet që kishin të bënin me shënjimin molekular.

MINT po ashtu kishte vendosur bashkëpunim edhe me një kompani nga Zvicrra për të filluar zbatimin e procesit të shënjimit molekular në mënyrë që të monitorohet dhe sigurohet cilësi e naftës në tregun e brendshëm, por puna në terren ende nuk ka filluar nga kompania zvicerane.

Kundërshtimi kryesor i shënjimit molekular është duke u bërë nga Shoqata e Naftëtarëve, të cilët natyrisht nuk duan kontrollin e qeverisë, dhe qeveria duket se i është nënshtruar kërkesave të tyre.

Vonesat në zbatimin e kontratës me kompaninë zvicerane, SICPA për integritetin e derivateve në tregun e brendshëm në Kosovë, po u shkakton para taksapaguesve kosovar. Kontrata me kompaninë është nënshkruar në janar të vitit 2021, pra para një viti, por zbatimi i saj po vonohet, me sa duket qëllimisht nga MINT për të përmbushur kërkesat e Shoqatës së Naftëtarëve.

Shënjimi molekular i naftës është dëshmuar të jetë metoda më efektive për qeverinë për të monitoruar cilësinë e naftës në tregun e brendshëm. Raporti i Këshillit Atlantik me titull “Vjedhja e naftës në rrjedhën e poshtme: modalitetet, tendencat dhe mjetet juridike globale” dëshmon se shënjuesit molekular për produktet e lëngëta me prejardhje nga nafta reduktojnë sasinë e karburantit të falsifikuar, përmirësojnë të ardhurat e qeverisë, si dhe mbron mjedisin dhe konsumatorët.

Shënjuesit molekularë të prodhuar nga kompania zvicerane SICPA janë të cilësisë më të lartë dhe tashmë përdoren në monitorimin e origjinalitetit të kartëmonedhave, duke përfshirë edhe frangën zvicerane.