×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Dënohet me 3 vjet e 6 muaj i akuzuari për përgatitje të sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI

    Insajderi
    05 March 2024 - 10:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim të akuzuarin për përgatitje të sulmit terrorist ndaj komunitetit LGBTI, Blend Vrajollin.

    Vrajolli është akuzuar për veprën penale “Përgatitje e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

    Aktgjykimi ndaj Vrajollit është shpallur të martën nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj në mungesë të të akuzuarit, të cilit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Gjykatësja Musliu-Selimaj tha se të akuzuarit me vendim të veçantë do t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të vendimit. Ndryshe, aktgjykimi u shpall në mungesë të të akuzuarit Vrajolli.

    Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 15 shtator 2023, ka ngritur aktakuzë kundër Blend Vrajollit, me nofkën “Ebu Ubejdi“, i cili ngarkohet se më 21 shkurt 2023, me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite përmes Aeroportit të Shkupit për në Kosovë, e me rastin e ndaljes dhe kontrollit në pikën kufitare Hani i Elezit, në stop-listë e duke sjellë mesazhin dhe harta të pranuara përmes profilit të tij “Proxyal“ në rrjetin social “Telegram“ të pranuar nga personi me emrin “Dagllas” Muhaxheri, ka bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë.

    Sipas aktit akuzues, thuhet se Vrajolli kishte bërë përgatitje të sulmeve terroriste në Kosovë, me materie të rrezikshme dhe vdekjeprurëse për jetën e njerëzve në kombinim me nitrate dhe kalcium, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBTI dhe në pikën kufitare Merdar, ku në të njëjtën ditë ai arrestohet nga Policia e Kosovës. Me këto veprime, Vrajolli akuzohej se ka kryer veprën penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 138, paragrafi 1 lidhur me veprën penale kryerja e veprës terroriste nga neni 129, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark