×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Dënohet me 4 vite e 4 muaj burgim i akuzuari që i ofroi 320 mijë euro një personi të kryejë vrasje të trefishtë

    Insajderi
    20 February 2023 - 18:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjakovë- Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Manojl Gjidoda, duke e dënuar me 4 vite e 4 muaj burgim, lidhur me akuzën për kryerjen e veprës penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë.

    Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Gjidoda u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjidoda akuzohej se nga fundi i muajit janar dhe fillimi i muajit shkurt 2020 në Gjakovë, kishte tentuar që të shtyt Lekë Markun, që të kryej vrasje të trefishtë, duke i premtuar 320 mijë euro për kryerjen e këtyre vrasjeve.

    Sipas gjykatësit Rashkaj, në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

    Ndërsa, palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

    Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Manojl Gjidoda, nga fundi i muajit janar dhe fillimi i muajit shkurt i vitit 2020, me dashje shtytë personin tjetër dhe atë Lekë Markun, që të kryejë vrasje të trefishtë, duke i premtuar të holla në shuma të larta për kryerjen e këtyre vrasjeve.

    Sipas aktakuzës, i akuzuari fillimisht e thërret kinse për të biseduar rreth shitblerjes së një banese në Gjakovë, më pas takohet në lokalin “Scorpion”, ndërsa të nesërmen në parkingun e restorantit “Metropol” në Gjakovë, ku me veturë të Lekës shkojnë tek Liqeni i Radoniqit dhe aty bisedohet për kryerjen e tri vrasjeve, dhe atë për vrasjen e Brahim Shalës do të jepet shuma prej 20 mijë euro, për vrasjen e Gjelbrin Gjoshit shuma prej 200 mijë euro, dhe për vrasjen e djalit të Brahimit që gjendet në vuajtje të dënimit, Qëndrimit shumën prej 100 mijë euro.

    Tutje sipas aktakuzës, duke i thënë bindshëm i akuzuari Lekës se “Unë t’i bi paret ty, në atë minut që ja shohim syretin në bander, unë t’i bi senet në Kosovë, ty s’do të njeh askush sa të jetë toka me gjinë, kurrë, njeriu që ka mu njoftë kam me kanë unë, se kam me i pru paret, askush s’ka me ditë kush shka u ba, pse cka u ba, paret do të vijnë dy herësh në dorë, si t’i knohet talkni ktij, këtu e marrin vesh se e kena kry, dillen të thirri unë ty dhe të thom deri me 10 maj me kanë i krym, me 15, 17 maj qat 20,000 ta bi edhe kur të tjerat janë të kryme”, pastaj pas disa ditësh Lekë Markaj shkon tek restoranti “Potok”, ku kishte lënë takim me Gjelbrim Gjoshin të cilin e njofon në tërësi për personin i cili ishte duke e shtytë për të kryer vrasjen me pagesë ndaj tij dhe dy të tjerëve.

    Me këto veprime, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 lidhur me nenin 32 dhe 28 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark