Hazer Tara, anëtar i bordit të ndërmarrjes publike “Eko-Regjioni” në Prizren, është dënuar me 500 euro gjobë pasi e pranoi fajësinë për mosraportim të pasurisë.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur të martën nga gjykatësi Luan Berisha, pasi i akuzuari po në këtë seancë e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.
I akuzuari Tara pranimin e fajësisë e bëri pasi iu lexua aktakuza dhe shtoi se ka qenë i informuar për deklarimin e pasurisë nga sekretari i “Eko-Regjionit”, mirëpo për shkaqe shëndetësore e kishte të pamundur të raportonte pasurinë brenda afatit kohor dhe se të njëjtën e kishte bërë gjatë muajit korrik.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga Gjykata Themelore në Prizren, i akuzuari Hazer Tara po ashtu është i obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 20 euro si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në arsyetim të shpalljes së aktgjykimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata në tërësi e ka vërtetuar gjendjen faktike në bazë të pranimit të fajësisë nga i akuzuari Hazer Tara konfrom nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale.
Po ashtu, në arsyetim thuhet se pranimi i fajësisë nuk ishte kundërshtuar nga ana e prokurores, Merita Kurtishi Gaka dhe si e tillë gjykata nuk ishte lëshuar në administrimin e provave.