Insajderi
Lajme

Denoncohet rasti i diplomës Master të vitit 2014: Qytetarja akuzon drejtuesit e Kolegjit “Globus” dhe zyrtarët e drejtësisë për mbyllje të hetimeve

Insajderi
22 September 2026 - 14:08
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Denoncohet rasti i diplomës Master të vitit 2014: Qytetarja akuzon drejtuesit e Kolegjit “Globus” dhe zyrtarët e drejtësisë për mbyllje të hetimeve
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një denoncim i detajuar, i shoqëruar me shkresa zyrtare të dërguara në Prokurorinë Speciale, Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Avokatin e Popullit, ngre akuza të rënda për një skemë mashtrimi me diploma universitare, tjetërsim provash dhe mbrojtje institucionale të drejtuesve të ish-Kolegjit Internacional “Globus”.

Në qendër të këtij denoncimi publik është rast i qytetares Magbule (Meghi) Kelmendi, e cila pretendon se diploma e saj e nivelit Master (60 ECTS, sistemi 4+1), e lëshuar në vitin 2014 nga Kolegji “Globus”, është pa vlerë ligjore (null). Ajo akuzon drejtuesit e collegjit, inspektorë të arsimit, prokurorë e gjyqtarë për bashkëpunim në mbylljen e hetimeve penale e civile me qëllim mbulimin e pasurimit të paligjshëm përmes arsimit.

Gjeneza e problemit: Programi i paakredituar dhe humbja e doktoratës

Sipas shkresave të dorëzuara nga Kelmendi, vërtetësia e diplomës së saj u vu në dyshim nga departamenti NARIC në kuadër të MAShT-it që nga viti 2018, pasi programi përkatës me 60 kredi ECTS në vitin akademik 2012/2013 pretendrohet se nuk kishte vendim valid akreditimi nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).

Në denoncim nënvizohet se sipas Ligjit Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë (Nenet 15 dhe 16) si dhe Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2013, çdo kualifikim i lëshuar nga programe të paakredituara nuk prodhon asnjë efekt juridik dhe konsiderohet i pavlefshëm.

Si pasojë e mosprenjohjes dhe bllokimit të dokumentacionit bazë të vitit 2014 nga menaxhmenti i kolegjit, denoncuesja deklaron se i janë ndërprerë studimet e doktoratës në Sarajevë (ku konfirmohet edhe nga korrespondenca me profesorin Edin Cehovice), siç shkruan Pamfelti, duke i shkaktuar humbjen e titullit “Doktor i Shkencave” dhe dëme të pariparueshme profesionale e morale.

Në shkresat drejtuar institucioneve të ndjekjes, Kelmendi pretendon se kallëzimi i saj penal është hedhur poshtë nga prokurorja e Prokurorisë Themelore, Elza Bajrami-Kastrati, ndërsa lënda civile është refuzuar nga gjyqtarja Ujvese Hysenaj, pa u bërë hetim i mirëfilltë.

Denoncuesja pretendon se gjatë marrjes së këtyre vendimeve janë anashkaluar me qëllim provat kryesore:

Konfirmimet e AKA-së (2019, 2021): Shkresa zyrtare që vërtetojnë mungesën e akreditimit për programin 4+1 (60 ECTS).

Deklarata e MAShT (2022): Qëndrimi i ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Popovci, lidhur me parregullsitë dhe mosakreditimin e këtyre programeve.

Ekspertizat Gjyqësore: Hedhja poshtë e dy ekspertizave në lëndën civile pa urdhëruar superekspertizë dhe pa marrë parasysh dëshminë e zyrtarit të AKA-së, Shkëlzen Gërxhaliu.

Në vend të këtyre, sipas denoncueses, vendimet janë bazuar në raporte të prodhuara nga inspektori i arsimit Nebih Behluli dhe deklarata të zyrtarëve të NARIC-it (Kumrije Gagica), të cilat ajo i cilëson si dokumente fiktive të prodhuara enkas për të liruar nga përgjegjësia penale drejtuesit e kolegjit: sekretarin Ahmet Arifi, ish-rektorin e mentorin Nazmi Mustafa, si dhe menaxherin Kushtrim Zëbica.

Një nga pretendimet më të rënda të ngritura në e-mailin e fundit lidhet me procedurën në Prokurorinë e Apelit. Kelmendi pretendon se me qëllim që t’i humbeshin afatet ligjore prej më shumë se 360 ditësh (nga maji 2025 deri në gusht 2026), brenda këtij institucioni është falsifikuar nënshkrimi i saj në fletëdërgesën e pranimit të vendimit nga zyrtari Driton Krasniqi.

Ajo po ashtu pretendon se ky rast nuk është i izoluar, por pjesë e një skandali më të madh ku dyshohet se mbi 20 mijë studentë janë dëmtuar nga lëshimi i diplomave pa akreditim nga institucione private të arsimit të lartë.

Në shkresën e saj të titulluar “Datë historike për kërkim drejtësie”, denoncuesja u bën thirrje Prokurorisë Speciale, Kryeprokurorit të Shtetit Zejnullah Gashi dhe Këshillit Prokurorial që të nisin hetime kryesisht (ex officio) ndaj të gjithë zinxhirit të zyrtarëve të përfshirë në këtë rast, përfshirë strukturat e Policisë për Krime Ekonomike, Inspektoratit dhe zyrtarëve prokurorialë e gjyqësorë.

Kjo shkresë bazohet tërësisht në denoncimin, e-mailat dhe dokumentet e dorëzuara nga qytetarja Magbule (Meghi) Kelmendi në adresë të institucioneve të drejtësisë dhe medias. Emrat e apostrofuar në këtë artikull (përfshirë zyrtarët e prokurorisë, gjyqësorit, MAShT-it dhe ish-drejtuesit e Kolegjit “Globus”) gëzojnë të drejtën e plotë të përgjigjes. Redaksia mbetet e hapur për të publikuar versionin dhe sqarimet e secilës palë të përmendur.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark