×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Deputetët janë të obliguar t’i deklarojnë stolitë, APK do ta kontrollojë pasurinë e tyre

    Insajderi
    17 May 2023 - 14:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deputetët e Republikës së Kosovës janë të obliguar t’i tregojnë stolitë, ashtu siç e parasheh Ligji për Deklarimin e Pasurisë. Pas shkrimit të Gazetës Insajderi ku zbulohet se ligjvënësit se kanë deklaruar asnjë grim ari, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit zotohet se do ta kontrollojë pasurinë e tyre.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka thënë se zyrtarët publikë, përfshirë deputetët e Republikës, janë të obliguar t’i deklarojnë stolitë e arit.

    “Bazuar në Ligjin i ri për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave me numër 08/L-108, paragrafin 1.9 të nenit 3, përkatësisht kapitulli i III, Neni 6 i Ligjit  ka përcaktuar deklarimin e pasurisë, të ardhurave, përfitimeve materiale dhe detyrimeve financiare përcaktohen pasuritë që obligohet të deklarohen nga subjektet deklaruese, duke përfshirë stolitë”, thuhet në përgjigjen e APK-së për Gazetën Insajderi.

    Ky reagim ka ardhur pas shkrimit të Gazetës Insajderi, në të cilin është zbuluar se deputetët e Kuvendit nuk kanë deklaruar asnjë gram ari në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

    Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka siguruar se do ta bëjë kontrollin e pasurisë së zyrtarëve publikë, përfshirë edhe atë të deputetëve.

    “Pas periudhës së plotësimeve dhe korrektimeve, ashtu siç është përcaktuar me legjislacionin në fuqi, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit do të bëjë kontrollin e pasurisë, sipas formulës dhe procedurave ligjore”, thotë APK për Gazetën Insajderi.

    Xhavit Haliti deputeti i vetëm që deklaron 30 mijë euro stoli ari

    Një nga deputët të më vjetër të Parlamentit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka treguar për stolitë që zotëron kur e ka deklaruar pasurinë për vitin 2022.

    Ai në formularin e pasurisë të publikuar vetëm para pak ditësh ka zbuluar se ka rreth 30 mijë euro stoli ari, shkruan Gazeta Insajderi.

    Tek kolona ku deklarohen pasuritë e lujtshme, Haliti, ka shkruar se ka 15 mijë euro stoli që i përkasin atij, të cilat i ka nga viti 1985, dhe i ka blerë nga kursimet familjare.

    Në një hapësirë më poshtë, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, e ka deklaruar edhe arin e bashkëshortes së tij, vlera e të cilit po ashtu shkon në 15 mijë euro. Edhe atë e posedon nga viti 1985, dhe gjithashtu zbulon se e ka blerë nga kursimet familjare, shkruan Gazeta Insajderi.

    119 deputetë të tjerë s’e deklarojnë asnjë gram ari

    Deputetët tjerë të Kuvendit – nga i pari që sipas renditjes është Abelard Tahiri, dhe tek i fundit që është Zoran Maksimoviq – nuk kanë deklaruar asnjë gram ari. Ari nuk ka deklaruar as Kryekuvendari Glauk Konjufca dhe as Sekretari Ismet Krasniqi.

    Gazeta Insajderi i ka shikuar të gjitha deklarimet e tyre, dhe ka dalë se asnjëri nga ta, tek kolona ku parashihet të deklarohet kjo pasuri, s’e kanë bërë atë.

    Të gjithë ata kanë deklaruar se kanë banesa, shtëpi, toka, lokale, vetura dhe para të gatshme, por nuk kanë treguar për stolitë që zotërojnë.

    Pasi duke parë kapitalin e tyre, duket krejt e pamundshme që shumica nga deputetët e kësaj legjislature të mos kenë ari deri në 3 mijë euro, shumë kjo nga e cila duhet të deklarohen gjërat me vlerë, në formularin e Pasurisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Pasuri e luajtshme – veturat, stolitë, veprat e artit, koleksionet e armëve, kafshët, enterierin, veshmbathje apo mallra shtëpiake, dhe çdo send tjetër i luajtshëm vlera e të cilit kalon shumën prej tre mijë Euro siç dokumentohet nga një kontratë, faturë ose dokument i ngjashëm që i ka në pronësi subjekti deklarues dhe anëtari i familjes së tij, thuhet në pikën 1.9. të Nenit 3, në Ligjin për Deklarimin e Pasurisë.

    Përpos stolive që s’i kanë zbuluar, deputetët, por edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, nuk kanë treguar as për gjërat tjera me vlerë si koleksionet e armëve, kafshët, enterierin, veshmbathje apo mallra shtëpiake, ashtu siç e parasheh Ligji, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark