×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Deputeti i PDK’së që u zotua të zbatojë urdhrin e Dejona Mihalit “irritohet” kur pyetet nëse e votoi Zeqirajn për komisionere të FSK’së

    Insajderi
    15 February 2024 - 17:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, e ka vlerësuar të palogjikshme pyetjen kur është pyetur nëse e ka votuar për komisionere të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) Remzije Zeqirajn.

    “S’po di kjo pyetje a ka logjikë kur e dini që është votimi i fshehtë”, deklaroi ai për Insajderin.

    Me vota të fshehta, ajo mori 49 vota për, ku ju sigurua mandati 5-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje.

    Për çështjen e Zeqirajt u raportua në media lidhur me “pazaret” e deputetëve të Vetëvendosjes për vota. Në raportime figuronte edhe emri i deputetit Isak Shabani.

    Nacionale siguroi disa mesazhe ndërmjet deputetit të Vetëvendosjes, Enver Dugolli, dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedoni. Kjo lidhur me votimin e komisionerit parlamentar të FSK-së.

    Në garë për këtë pozitë që pritej të votohej në Kuvend, ishin tre kandidatë: Remzie Zeqiraj, Sami Hajrullahu dhe Fadil Hadërgjonaj.

    Dugolli i shkruan ministrit Maqedonci se dikush nga kabineti i tij po bën fushatë për një kandidat tjetër, e jo për të cilin ka thënë ministri.

    “Ministër, po ju njoftoj se dikush nga kabineti juaj, pa dijenin tuaj dhe në kundërshtim me propozimin tuaj dhe të KOMFSK, po thërrasin deputetët dhe po iu shkruajnë në emër të kabinetit që të përkrahet Samiu për komisioner”, thuhet në mesazhin që Dugolli ia dërgoi ministrit Maqedonci në WhatsApp, bisedë.

    Dugolli i tregon ministrit se në mbledhjen para seancës, Dejona Mihali ua tha “troç” kënd ta votojnë.

    “Besoj që po sepse kjo nuk len shije të mire me vepru në kundërshtim me vendimet tua. Dejona ua tha troç qëndrimin tuaj dhe të KOMFSK por më habiti fakti se si kanë guxim nga kabineti yt me bë këso veprime”.

    Deputeti i VV-së, Enver Dugolli, më pas komunikon me deputetin e PDK-së, Isak Shabani. Atij i kërkon ta votojë njërin kandidat, për të cilin Shabani pajtohet dhe ia konfirmon votën.

    “A do merrni pjesë në votimin për komisioner të FSK-së”, e pyeti Dugolli Shabanin.

    “Po”, përgjigjet shkurt Shabani.

    “A ke ndonjë përcaktim” e pyet sërish Dugolli.

    “Unë jo, s’du me përkrah askënd. Për Hadërogjen kanë disponim disa”, ia ktheu Isak Shabani i PDK-së.

    E këtu deputeti i pushtetit ia tregon kërkesën e tij kolegut opozitar.

    “Votoje për mua Remzijen”, i tha Dugolli.

    “Po e votoj pa problem. Nëse thua ti”, tha Shabani.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark