Mergim Lushtaku është deputeti i vetëm nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili nuk dha votën për projekt-kodin civil në të cilin parashihet lejimi i martesave me seks të njëjtë. Kjo bazuar në votimin e mbajtur në mars të vitit të kaluar, shkruan Insajderi.
Gazeta ka provuar të marrë një përgjigje nga Lushtaku për të kuptuar nëse ka ndërruar qëndrim sa i përket projektligji, por i njëjti ende ska kthyer lajmëruar.
Përveç, Lushtakut kundër kanë votuar edhe 14 deputetë të partisë në pushtet, Grupi Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj, Pal Lekaj, Bekë Berisha, Albana Bytyçi si dhe deputetët e komuniteteve jo-shumicë.
Ndërkohë, Eman Rrahmani, deputeti i VV-së edhe njëherë për Insajderi sot ka konfirmuar se nuk ka votë për këtë projektligj.
Kodi Civil dështoi të miratohet vitin e kaluar ndërkohë së shpejti pritet të procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvend. Kështu kanë konfirmuar sot edhe nga Ministra e Drejtësisë.
Pas dështimit të miratimit të Projekt-kodit Civil, nga Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje ishin zotuar se ky do shqyrtohej sërish gjatë vitit 2022. Një gjë të tillë nuk ndodhi, përkundër asaj që kishte thënë më 8 gusht shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
“Për sa i përket pyetjes për Ligjin e Pagave dhe Kodin Civil, përgjigja është po. Të dyja do të trajtohen në sesionin vjeshtor. Kodi civil është i paraparë që të përcillet në Qeveri dhe të vije në Kuvend, po shpresoj në javët e para të sesionit vjeshtor, ashtu siç edhe i kemi indikacionet nga Ministria e Drejtësisë”, kishte thënë ajo.
Në mars të vitit të kaluar, nga 61 deputetë që votuan, 28 ishin për, 29 kundër dhe katër prej tyre abstenuan. Në mesin e atyre që votuan kundër Kodit Civil, të sponsorizuar nga Qeveria, ishin edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosjes dhe të komuniteteve jo shumicë.
/GazetaInsajderi