Deputeti i PDK-së, Shukri Buja, që është i kërkuar i Serbisë përmes Interpolit, ka thënë se frikësohet se Serbia do të mund ta arrestojë atë edhe brenda territorit të Kosovës marrë parasysh, siç thotë ai, brishtësinë e institucioneve të drejtësisë.
“Njëherë nuk mund të dal jashtë shteti, bile siç po shkojnë gjerat duhet të ruhem edhe brenda Kosovës, ngase dihet se sa të brishta janë organet e drejtësisë në Kosovë, e Serbia me njësitet e veta civile mundet me të kidnapuar edhe brenda Kosovës”, ka thënë Buja duke shpjeguar vështirësitë që i paraqiten për shkak të fletarrestim nga Serbia.
Ai ka kritikuar institucionet e vendit se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të pastruar listat e Interpolit.
“Kosova ka mundur të largojë emrat e komandantëve nga ato lista, sidomos në shtete që na kanë pranuar si shtet. Pra është dashur që të informohen shtet që na kanë njohur tu thuhet se këta që ndiqen janë qytetarë të Kosovës e jo të Serbisë dhe se veprat që pretendohen kanë ndodhur në Kosovë e jo në Serbi”, ka thënë ai.
“Po ashtu ka mundur tu thuhet se pa vendimin e organeve shtetërore të mos arrestohet askush. Po ashtu ka mundësi që edhe përmes Brukselit, gjatë bisedimeve të kërkohet që listat të pastrohen”.
Buja thotë se vitin e kaluar autoritetet maqedonase kanë tentuar ta arrestojnë dhe tregon se si ka arritur të largohet nga shteti fqinj.
“Me një fletë arrest të Serbisë, vitin e kaluar ka pasur një tentim të arrestimit në Maqedoni. Policët nga Maqedoni dhe vetë komandanti kanë qenë ushtarët e mi të luftës. Duke ditur procedurat nuk kam pranuar tu dorëzohem për shkak se rrezikshmëria e ekstradimit ka qenë shumë e madhe Jam larguar nga kufiri duke ua lënë dhuratë pasaportën time”, ka thënë ai për lajmi.net
“Pasaportën nuk e kamë marrë ende, edhe pse ka pasur një angazhim të Ministrisë së Punëve të Jashtme e të ambasadorit, por nuk kanë arritur që ta nxjerrin. Më që nuk kanë arritur ta nxjerrin pasaportën, paramendoni me sa sukses do ta nxirrnin komandantin e zonës po të arrestohej”, ka shtuar ai.
“Që nga ajo kohë nuk kamë lëvizur nga Kosova. Probleme ka edhe me Shqipërinë e lere më me shtete tjetër”./Insajderi.com