Deputetja Margarita Kadriu, e cila nga qeveria e koalicionit PDK-LDK ka përfituar një terminal doganor, pasi, Qeveria ka ndryshuar bazën ligjore për licencimin e terminaleve në mënyrë që të jetë e përshtatshme për kompaninë “City Park”, në pronësi të Ruzhdi Kadriut, babait të Margarita Kadriut, ka postuar një fotografi në të cilën shihen disa goma të shpuara.
Sipas deputetes, kompania e së cilës, përfitoi terminal, pasi u ndryshuan rregullat vetëm dy muaj para votimit të Hashim Thaçit për president, ka thënë se i është sulmuar vetura personale, duke ia “shpërthyer me thikë të katër gomat, edhe atë në parkingun para hyrjes ne banesën së saj në Prishtinë”.
E krejt kjo sipas saj po bëhet pasi ajo po fol kundër krimit.
“Fjalimet e mia, si deputete e pavarur në Kuvendin e Kosovës, si dhe insistimi im për krijimin e Komisionit hetimor parlamentar për evazionin fiskal, kontrabandën, korrupsionin dhe krimin e organizuar I paskan shqetësuar jashtë mase kompanitë e lidhura me krimin e organizuar dhe politikanë të caktuar”, ka shkruar Kadriu.
Në prill të këtij viti, Insajderi kishte raportuar sesi në kohën kur Margarita Kadriu po bënte më shumë se katërmbëdhjetë muaj prej se kishte dhënë dorëheqje nga PDK-ja, dhe dy muaj përpara se Kadriu kishte votuar për president, Hashim Thaçin kishte përfituar një favor të madh.
Saktësisht bëhet fjalë për biznesin e familjes së saj, pasi gjërat në prapaskenë kishin lëvizur në favor të kompanisë “City Park”.
Insajderi kishte zbuluar se Qeveria e koaliconit PDK-LDK, vetëm dy muaj para se të votohej për Thaçin, kishte ndryshuar bazën ligjore për t´iu përshtatur kompanisë “City Park“. Kjo kompani në pronësi të Ruzhdi Kadriut, babait të deputetes Margarita Kadriu, mori licencën për terminal të mallrave në fillim të vitit 2016.
Për Kadriun, shpërthimi i gomave të veturës së saj, është një kërcënim që ajo duhet ta mbyllë gojën./Insajderi.com