13:11 - 01 Qershor 2021

Shkrim nga Rijad Mehmeti për Ditën e Fëmijëve

Maji, është një muaj i veçantë për mua. Në këtë muaj shënoj ditëlindjen time. Në shtëpi është festë! Më 28 maj të këtij viti, pra para tre ditësh, unë mbusha 17 vjet. Vite këto që kanë kaluar jo me pak vështirësi. Prindërit e mi, e kujtojnë ditën e lindjes sime si më të lumturën në jetën e tyre; megjithatë unë e di që rritja ime dhe kujdesi ndaj meje nuk kanë qenë aspak të lehta. Netët e gjata pa gjumë, kujdesi i shtuar të mos më lëndojnë, ngase kisha lindur me paralizë cerebrale, shqetësimet e frika e tyre për të ardhmen time, se si do të pritem nga shoqëria në ditën e parë të shkollës, e shumë e shumë të tjera. E di, nuk është e lehtë. Por vetëm falë përkushtimit të tyre, dhe miqve të mi, unë sot mund ta festoj ditëlindjen e 17-të bashkë me shoqet e shokët e mi. Unë mund të shkoj në shkollë, bashkë me shoqet e shokët e mi, dhe ata sot nuk kanë pse të frikësohen për të ardhmen time.

Më 28 maj, të këtij viti, u takova me miqtë e mi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndër të paktat vende publike ku mund të qasem lehtë me karrocën time! Kalova shumë mirë, por u ndjeva edhe keq. Përveç që kishte kaluar një vit jete për mua, dhe unë po rritem për një vit, që është gjë e mirë, ka kaluar edhe një vit që kur jua drejtova një letër të tillë, duke ju treguar që unë bashkë me shoqet e shokët e mi që jetojmë me aftësi të kufizuara, jemi këtu bashkë me ju dhe kemi nevojë për ju.

Një vit që kur fola për frikën e të jetuarit si person me aftësi të kufizuara, mungesës së qasjes në hapësira dhe institucione publike, mungesës së shërbimeve për ne, e mbi të gjitha faktin se shumë shoqe e shokë të mi që jetojnë me aftësi të kufizuara, nuk shkojnë në shkollë. Një vit që kur vendosëm 120 karroca në sheshin ku unë po festoja ditëlindjen time, si thirrje për 120 deputetët që të na dëgjojnë kërkesat dhe të veprojnë. Një vit që kur liderët politikë, u bashkuan simbolikisht në thirrjen që bëmë bashkë me UNICEF-in në Kosovë, një vit që kur fola përmes ekranit televiziv me gjithë popullatën në Kosovë nga holli i demokracisë në vend, holli i barazisë, e që megjithatë ende nuk është i qasshëm për persona me aftësi të kufizuara. Unë u rrita për një vit, por shoqet e shokët e mi ende po presin që dikush t’i dërgojë në shkollë!

E ky fakt më sillej në mendje edhe përgjatë ditës së lindjes sime, ditës kur në fakt do të duhej të mos brengosesha, por të festoja.

“Cila është dëshira jote për ditëlindje?” – po më pyesin miqtë e prindërit.

Një i ri si unë, e sidomos si unë, ka shumë dëshira. Por si mund të mendoj vetëm për vete, kur unë festoj e shumë shoqe e shokë të mi, nuk munden. Kur unë e kam përkrahjen e familjes, miqve, komunitetit, por shumë shoqe e shokë të mi nuk e kanë!

Unë nuk mund të kem dëshirë tjetër për këtë ditëlindje, përpos asaj që kam tash e që kur kam arritur të flas publikisht me të gjithë ju – barazi! Kjo është dëshira ime e vetme, barazi e të drejta të avancuara për fëmijët me aftësi të kufizuara. Që edhe të tjerët, sikurse unë, të gëzojnë një ambient të këndshëm familjar, mirëqenie e shëndet, arsim dhe aftësim për të ardhmen, por mbi të gjitha, e kjo ka shumë rëndësi, një jetë më të dinjitetshme. Unë nuk do të mund të kem dëshirë tjetër, derisa këto të mos realizohen. Unë nuk mund të mendoj vetëm për veten, kur e di që miqtë e mi kanë nevojë për mua.

A të bëhemi të gjithë bashkë ta bëjmë Kosovën një vend të mirë për fëmijët me aftësi të kufizuara?!

Miku i juaj Rijadi