Në Gjykatën Themelore të Pejës, sot ishte paraparë të mbahej seanca gjyqësore lidhur me rastin tragjik të 45-vjeçarit Visar Muriqi, i cili humbi jetën në tetorin e vitit të kaluar pas shpërthimit të një autocisterne në kompaninë “Delta Group” Sh.P.K, në Pejë.
Seanca ishte planifikuar të fillonte nga ora 10:00, por ajo nuk u zhvillua për shkak të mungesës së disa palëve të rëndësishme.
Në gjykatë nuk u paraqit i pandehuri Vesel Jusaj, i cili po gjykohet në cilësinë e pronarit të kompanisë “Delta Group”, si dhe përfaqësuesja e autorizuar e personit juridik të kompanisë, Vase Jusaj. Po ashtu, mungoi edhe mbrojtësi i të pandehurit, avokati Gëzim Kollçaku.
Për shkak të këtyre mungesave, gjykata konstatoi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës dhe vendosi ta shtyjë atë për datën 7 nëntor 2025.
Pak ditë më parë, Vesel Jusaj ishte paraqitur në gjykatë, ku u deklarua i pafajshëm përballë trupit gjykues, duke theksuar:
“Nuk jam fajtor për veprat penale të cilat më vihen në barrë.”
Ngjarja e rëndë ndodhi më 11 tetor 2024, kur i ndjeri Muriqi ishte kontaktuar nga një bashkëvendës për të kryer shndërrimin e një bombole gazi në një pompë derivatesh, me qëllim që ajo të përdorej për derivate të tjera. Pa e ditur se ajo do të ishte dita e fundit e jetës së tij, Visari pranoi punën për një pagesë prej vetëm 30 eurosh.
Hetimet për këtë rast tragjik po vazhdojnë në Gjykatën Themelore të Pejës, ku pronari i kompanisë “Delta Group”, Vesel Jusaj, po përballet me akuzat që lidhen me vdekjen e Visar Muriqit.