Mjaftuan zgjedhjet lokale të 17 tetorit, që Lëvizjes Vetëvendosje t’ia sillnin rezultatin më të dobët ndonjëherë, madje duke e kthyer krejt në fillet e saj, shkruan Gazeta Metro.
Vetëvendosje u kthye aty ku ishte në fillim, kur bënte rolin e opozitës dhe në zgjedhje merrte krejtësisht pak vota, e në disa komuna asnjë.
Por rezultatin e kënaqshëm kjo Lëvizje arriti në zgjedhjet e 14 shkurtit ku iu fut garës bashkë me ‘Listën Guxo’, e që doli fituese me 50.2% të votave.
Por u deshën vetëm 8 muaj dhe dëshpërimi popullor kaploi partinë duke marrë rezultate tejet të dobëta në zgjedhjet e tetorit.
Asnjë komunë nuk u fitua dje me 17 tetor, kur u mbajtën këto zgjedhje. Partia e drejtuar nga Kurti arriti të siguroj disa balotazhe në komuna përfshirë këtu edhe kryeqytetin, Prishtinën.
Vota popullore pësoi një rënie enorme në më shumë se përgjysmë, nga 50.2% të 14 shkurtit në 22.54% të 17 tetorit.
Me 14 shkurt Vetëvendosje kishte marrë 438 mijë e 355 vota, kurse në zgjedhjet lokale vetëm 205 mijë vota, duke pësuar kështu humbje prej 233 mijë vota.
Këto zgjedhje kjo Lëvizje nuk arriti të ruante Prizrenin, Mitrovicën, Gjakovën, Podujevën e disa komuna nga ku besonte fuqishëm se do dilte e para. Madje parashikime të tilla kishte edhe kryeministri, lideri i kësaj partie Albin Kurti.
Por që nga mbrëmë ai nuk ka folur për media, duke mos bërë asnjë reagim rreth këtyre rezultateve të dobëta. Në vend të Kurtit, foli Fitore Pacolli, e cila u mundua ta arsyetonte humbjen me pretekstin se ‘’jemi partia që kemi shpenzuar më së paku në fushatë.’’